Infrastruktura kryesore dhe dytësore e qytetit të Ballshit lë mjaft për të dëshiruar. Rrugët paraqiten tepër të dëmtuara dhe të amortizuara. Gropat, të cilat përbëjnë një pengesë jo vetëm për automjetet por edhe për kalimtarët kanë vështirësuar lëvizjen e tyre. Një prej këtyre rrugëve është ajo që lidh qytetin e Ballshit me fshatrat e Mallakastrës, si Selitë, Ngrancan, Aranitas etj. Në këtë rrugë kalojnë autobotet e mëdha që i drejtohen uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh, ndaj edhe keto mjete të tonazhit të rëndë kanë ndikuar në amortizimin e kësaj rruge. Ndërsa vetë banorët shprehen se kjo rrugë prej shumë vitesh është në këtë gjendje dhe askush nuk ka vënë dorë, por ajo ka mbetur vetëm në kuadrin e premtimeve elektorale. Nëse do të bejmë një krahasim me rrugët rurale, ato janë më të rregullta dhe me infrastrukturë të mirë se ato të qytetit. Ndërsa në përurimin e fundit që bëri kryeministri Berisha në një rrugë rurale, tërhoqi vemendjen drejtuesve duke premtuar se do të bëjë diçka për këtë aks.