Ndërrimi i motmoteve ka sjellë një rokadë në shtabin teknik të KEK-ut. Trajneri i kësaj skuadre, Mentor Miftari ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij. Vendimin për ta braktisur skuadrën nga Kastrioti, Miftari e ka marrë për shkaqe personale.

“Nuk do të jem më trajner i KEK-ut. Më erdhi keq që u desh të largohem nga KEK-u, por detyrimisht mu desh ta marr këtë vendim. Kjo pasi në fillim të këtij viti më duhet të udhëtoj drejt Gjermanisë, ku do të qëndroj deri në fund të këtij viti”, ka deklaruar Miftari për Express.

Sipas të gjitha gjasave, Miftarin në KEK do ta zëvendësojë Fetah Veliu, i cili deri më tani e ka udhëhequr Viganin, i cili garon në Grupin 2 të Ligës së Dytë të Kosovës. Me këtë nuk nënkuptohet se Veliu është larguar nga skuadra e Matiçanit, pasi ky ekip tashmë i ka bashkuar forcat me KEK-un. Kështu tha kreu i ‘Elektricistëve’, Istref Klinaku.

“Kështu kemi arritur marrëveshje me Veliun. Por, nuk mund të konfirmoj nëse Veliu edhe do ta udhëheqë KEK-un në stinorin pranveror, para se të bisedoj edhe një herë me të rreth kësaj çështjeje”, u shpreh Klinaku.