Përfaqësuesi i EURALIUS në Shqipëri, tha se të dyja propozimet janë sipas standardeve të Bashkimit Evropian, por nënvizoi se propozimi i Partisë Demokratike është më i duhuri, pasi sipas tij, është propozuar nga EURALIUS.
“Që prej shumë vitesh BE-ja ka kërkuar që Shqipëria të marrë masa për heqjen e imunitetit. Prandaj, EURALIUS para një viti paraqiti një raport ku i kërkonte Shqipërisë që të merrte masa kundër imunitetit. Gjetja kryesore ishte që Shqipëria të hiqte imunitetin e përgjithshëm. Ne i kërkuam Shqipërisë që të mbronte gjyqtarët vetëm për çështje civile dhe penale. Propozimi i paraqitur nga partitë politike i arrin qartë standardet që ne kemi kërkuar. Propozimi i paraqitur nga Partia Demokratike na bën veçanërisht të lumtur pasi është paraqitur nga EURALIUS ndaj e mbështesim, por edhe propozimi tjetër i Partisë Socialiste arrin standardet evropiane”, theksoi ai.
Përfaqësuesi i EURALIUS theksoi se shpresonte që të gjendej një zgjidhje e mesme për këtë çështje. “Shpresoj që qeveria dhe opozita të gjejë një rrugë të mesme, sepse të gjithë duan të gjejnë një zgjidhje kundër imunitetit. Mbështes të dyja propozimet për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve. Shpresoj që të gjeni një marrëveshje për reformën që t’i bashkoheni Bashkimit Evropian”, shtoi ai. /Start/
2012-07-21 10:41