Skuadra e Interit arriti të marrë një fitore të vështirë 2-1 përballë Udinezes në ndeshjen e vlefshme për javën e shtatë të Serisë A.

Minutat e fundit rezultuan vendimtare për fituesine takimit, falë golit të shënuar nga Uesli Shnajder.

Golin e parë për vendasit e shënon i përhershmi Dean Stankoviç në minutën e 22-të. Ndërkohë, Udineze barazon vetëm 3 minuta më vonë me anë të golashënuesit me të mirë të Serisë A, Antonio di Natales.

Në pjesën e dytë të dy ekipet regjistrojnë raste të mira për të shënuar, por ata që gabuan më rëndë ishin sulmuesit e Udinezes.

Kur miqtë ishin fare pranë golit me dy raste të shpërdoruara, holandezi Shnajder dërgon topin në rrjetë duke i dhënë Interit një fitore të vyer.

Me këtë tripikësh kampionët ngjiten përkohësisht në vendin e parë me 16 pikë, duke pritur ndeshjet e sotme të Sampdorias dhe Juventusit.