TIRANE- Sopranoja Inva Mula, dirigjenti Ermir Krantja, tenori Josif Gjipali janë disa nga artistët e njohur shqiptarë, me të cilët Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të hapë siparin e sezonit artistik tetor-dhjetor 2010. Nga data 1 deri më 6 tetor në skenën e këtij teatri do të ngjitet premiera e operës "Përrallat e Hoffmanit" me libret të Jacques Offenbach. Kjo do shënoje edhe një rikthim të sopranos së njohur Inva Mula në skenën shqiptare, e cila këtë radhë do jetë edhe regjisorja e kësaj pjese. Një tjetër figurë e artit shqiptar, që do të ngjitet në skenën e Teatrit të Operës gjatë këtij sezoni, do të jetë edhe dirigjenti Ermir Krantja, i cili do të vijë në Tiranë për të drejtuar orkestrën për një koncert që do të mbahet për nder të sopranos Tefta Tashko Koço në 100-vjetorin e lindjes së saj. Ky koncert i parashikuar të mbahet më 25 tetor, do të ketë në program repertorin e sopranos së madhe lirike shqiptare. Kalendari artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit deri më dhjetor të këtij viti parashikon edhe aktivitete të tjera si premierën e operës "Othello", një bashkëpunim ndërmjet Teatrit "Verdi" të Triestes, Operës së Splitit dhe TOB-it.
(s.g/BalkanWeb)