Pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovë kritikojnë institucionet e shtetit për mungese transparence dhe llogaridhënieje për investimet kapitale në vend. Në një debat të organizuar në Ferizaj nga organizata “Fol”, u kritikua Ministria e Transportit.

Përfaqësuesi i “Fol”, Fidan Kalaja tha se investimet e bëra nga viti 2008 e deri më 2010 nga kjo ministri janë përcjelle me një mungesë transparence.


Ndërkaq, projekti i autostradës Morinë-Merdarë u cilësua si i veçantë, pasi siç tha Kalaja, që nga fillimi ka munguar transparenca e plotë.


Më tej organizata “Fol” prezantoi raportin mbi transparencën e investimeve publike në infrastrukturën rrugore, duke sjellë edhe shifra mbi investimet që janë bërë dhe pritet të bëhen nga qeveria e Kosovës.


Sipas tij, orientimet qeveritare po shkojnë gjithnjë në rritje kur janë në pyetje investimet në rrugët e Kosovës.


Ai ka thënë se deri në vitin 2010 në Kosovë, buxheti për investimet kapitale gjithnjë ka patur rritje, ndërsa në këtë vit ka shënuar shkallën e 58.5 për qind. Sipas kësaj prirjeje, pritet që në vitin 2013 të shënojë shkallën e 60.6 për qind.