Doha -Presidenti i Iranit Mahmoud Ahmadinexhad, deklaroi sot se shtetet myslimane duhet të ndërpresin të gjitha marrëdhëniet me Izraelin dhe SHBA-në për të ndihmuar në përfundimin e ofensivës izraelite kundër Gazës. Deklaratat e presidentit iranian u bënë për televizionin "Al Jazeera", i cili po merr pjesë në një takim të jashtëzakonshëm të liderëve arabë dhe myslimanë në Katar, deklaroi se ofensiva trijavore e Izraelit tregoi se shteti hebre ishte në "grahmat e tij të fundit". Vendet myslimane "duhet të ndërpresin marrëdhëniet me Izraelin dhe Amerikën. Duhet të ndërpresin vetëm marrëdhëniet. Ata nuk kanë nevojë të bëjnë më tepër se kaq", deklaroi Ahmadinexhadi.



Presidenti sirian dhe lideri i Hamasit u bënë gjithashtu thirrje sot shteteve arabe të ndërpresin të gjitha marrëdhëniet me Izraelin.

Zyrtarët myslimanë dhe arabë, të cilët u mblodhën në Doha, po diskutojnë për ndërprerjen e marrëdhënieve me Izraelin dhe për një tërheqje të mundshme të një iniciative arabe për paqe me Izraelin.



Ministrat e Jashtëm arabë u takuan gjithashtu sot në Kuvajt për të diskutuar lidhur me ofensivën në Gaza. "Ajo që po shikojmë në Gaza është një dëshmi e qartë se ekzistenca sioniste është 'në prag të zhdukjes'", deklaroi Ahmadinexhadi. Ahmadinexhadi deklaroi se Irani nuk po i siguronte armë lëvizjes islamike palestineze Hamas. "Ne po i sigurojmë rezistencës palestineze ndihmë të hapur... po i sigurojmë ndihmë humanitare, politike dhe ndihmë morale", shtoi ai.