Irani ka ftuar kreydiplomatin e Bahrejnit në vend për t’i shprehur shqetësimet lidhur me trazirat e popullatës shiite në këtë ishull të vogël.

Në një raport, të publikuar të enjten mbrëma nga agjencia iraniane e lajmeve IRNA, thuhet se një zyrtar i ministrisë së jashtme iraniane ka takuar diplomatin bahrejnas, për t’i shprehur atij shqetësimet iraniane dhe për të mohuar pohimet se Irani është i përzier në punët e brendshme të Bahrejnit, raportoi agjencia AP të premten.

Që nga fillimi i trazirave, vitin e kaluar, Irani dhe Bahrejni kanë ftuar kohë pas kohe diplomatët e njëri-tjetrit. Trazirat në Bahrejn janë inspiruar nga kryengritjet që ndodhën gjatë Pranverës Arabe.

Liderët sunnit të Bahrejnit pohojnë se Irani (shiit) synon të zgjerojë ndikimin në rajon duke mbështetur protestat shiite në vend, gjë kjo që mohohet nga Irani.

Shiitët në Bahrejn insistojnë në atë se nuk kanë kurrfarëë lidhjesh politike me Iranin.