20/04/2012  Nevojitet një certifikatë lindjeje pas datës 26 mars


Të gjithë ish-të dënuarit politikë që janë mbi 65 vjeç duhet të dorëzojnë çertifikatën e lindjes për të përfituar këstin e dytë të parave të dëmshpërblimit. Në një njoftim të Ministrisë së Financave bëhet e ditur se personat, që janë mbi 65 vjeç dhe që jetojnë të dorëzojnë pranë sektorit të pagesave dhe dëmshpërblimeve dokumentet për të përfituar këstin e dytë të dëmshpërblimit. Urdhëri i ministrisë vjen në bazë të VKM nr.419, datë 14.04.2011, “Për miratimin e afateve dhe të skemës së shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist”. Ndërsa për ta është vendosur radhë përparësie. Dokumenti që duhet është një certifikatë lindjeje (personale) të lëshuar pas datës 26 mars 2012. Me ndryshimet që i janë bërë VKM nr. 419, ndarja e 8 kësteve të dëmshpërblimit bëhet një muaj pas përfundimit të pagesës së këstit paraardhës, duke u hequr detyrimi për të gjitha subjektet përfituese. Miratimi i afateve dhe skema e shpërndarjes së dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist bëhet sipas planifikimit vjetor buxhetor dhe parimit të proporcionalitetit për të gjithë ish-të dënuarit dhe viktimat e ekzekutuara. Në çdo rast, vlera e këstit të dëmshpërblimit është jo më e vogël se 100 mijë lekë dhe jo më e madhe se 1 milion lekë. Afatet dhe skema e shpërndarjes së dëmshpërblimit sipas kësteve të përcaktuara me vendimin nr. 419 janë për të dënuarit politikë të cilët kanë vuajtur dënimin me burgim, izolim në hetuesi ose në spital psikiatrik, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991; për familjarët e viktimave, të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht, me gjyq ose pa gjyq, për motive politike, nga data 30.11.1944, deri më 1.10.1991; si dhe për të dënuarit politikë të cilët kanë vuajtur dënimin me internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954. Dëmshpërblimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave shpërndahet në tetë këste të barabarta. Pagesa e kësteve, duke filluar nga kësti i dytë, do të bëhet sipas radhës kronologjike të kryerjes së pagesës së këstit të parë, duke u dhënë përparësi ish-të dënuarve politikë, të mbetur gjallë me moshë mbi 65 vjeç; të dënuarit politikë dhe familjarët e viktimave, të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht me gjyq ose pa gjyq, për motive politike, të cilët vuajnë sëmundje të rënda.