Nga Flamur BËRDËLLIMA
Nuk besoj se përbën një deklaratë të veçantë po të them se Media në një farë mënyre është jeta ime. Mirëpo kur shkova dje për të blerë gazetat, mungonin nja katër. Shitësit ngrinin supet derisa, pasdite kolegu im Ylli Dylgjeri më tha se ska letër.

Me ra çanta nga duart duke u shkulur së qeshuri. Sapo më kishte thënë shitësi i lagjes se nuk ka edhe letër higjienike. Ylli më kujton se edhe letrat me vlerë, pavarësisht përpjekjeve demagogjike për ti rivlerësuar janë kthyer në letër me vrimë. Si ato që bënim dikur në qendrat e punës, ku, kujt i binte letra me vrimë do të na qeraste me nga një bozë. Çfarë do thotë ska letër? Unë nuk them se njerëzit hanë gazeta. Por shakara të tilla më duken shumë të rënda dhe me aluzione politike. Jam me këmbë në tokë dhe e kuptoj se mund të ketë defekt makineria e shtypshkronjës, po letër? Kjo më bën të mendoj se diçka nuk po funksionin fare. Diçka po shkon shumë ters. Prandaj me dhimbje pyes: Mos vallë ishim më mirë kur ishim më keq?
Në bodrum nuk ndihet dimri
Ndjek një emision ku përballë janë dy ministra, ose më saktë një ish- ministër dhe një ministër Financash. O zot sa fjalë të bukura me formulime profesionale demek lëshojnë në ekran për krizën. Madje njëri thotë se për ta mposhtur atë, ne kemi arritur të sigurojmë një kredi prej 200 milion eurosh. Pra ne e siguruam kurse Turqia jo. Kjo është për të vënë duart në kokë, për mënyrën sesi tallen me publikun, i cili nuk është naiv e as i pagdhendur. Personalisht kam punuar 5 vjet në Turqi, dhe në një vend me 80 - 90 milion banorë, që prodhon, (e theksoj, prodhon), avion F16 apo Benza të tipit të fundit nuk gjetka dot 200 milion euro, që i llogaritet pothuajse 2 euro për çdo turk. O të dashur, gënjeni mo gënjeni, por pak me stil. Pse nuk thoni se kriza është financiare dhe jo materiale? Pse nuk thoni se Shqipëria nuk ka më të domosdoshmin aparat matës të krizës, që është Bursa? A e dini se Dillerat dhe Brokerat, në një farë mënyre janë sizmografi që paralajmërojnë stuhitë dhe tërmetet ekonomike? Dilni mo dilni, por më thoni kur do ta ketë Bursën e vet Shqipëria? Si do të hyjmë në Europë, pa Bursë? Mos kujtoni se do ta bëjmë tregtinë me paratë kesh të fshehura në çorapet e grave? Guvernatori Ardian Fullani theksoi se kriza po i afrohet Shqipërisë si njollë vaji dhe ta neglizhosh atë do të thotë të veprosh si struci. Por Koli, një miku im me një gjuhë popullore shprehet se në dimër, në bodrum, nuk ndihet i ftohti. Pra në bodrum, poshtë nivelit zero, duket sikur nuk ka dimër ekonomik, por kur vërshojnë ujërat dihet se kush mbytet i pari. Gjithësi Zoti qoftë me ne!
E megjithatë unë prapë pyes thjeshtësisht: Mos vallë ishim më mirë kur ishim më keq?
Majmuni dhe akrepi
Sa herë takohem me mikun tim të ngushtë, gazetarin Andrea Stefani, përshëndetemi me një kod. Unë i them: Po majmuni? Ai ma kthen - Po akrepi? Fjala është për përrallën afrikane kur akrepi ju lut majmunit që ta kalonte nga bregu tjetër. Majmuni i përgjigjet: Po ti më pickon more akrep Ky i fundit vazhdoi: Por po të pickoj unë ty, do të mbytem edhe vetë Kështu majmuni i besoi dhe e mori. Por papritmas në mes te lumit ndjeu një pickim të tmerrshëm në shpinë. Çbën?, i bërtiti akrepit. E kam në instikt dëgjoi përpara se të dy ti merrte lumi. Më kujtohet gjithmonë ky aforizëm apo barsoletë sa herë shoh nëpunës shtetëror apo patriak që përbetohen se: Këtë herë nuk do të ketë asnjë votë të vjedhur. Transparenca do të jetë maksimale. Ja do ta shikoni në 28 qershor.
Por ndërkohë më kujtohen edhe miliona certifikata që po shtypen, radhët për të marrë kartën e identitetit, ditët e pushimit edhe të shtunën edhe të dielën që bëjnë komunat, minibashkitë apo bashkitë, që janë krejt ndryshe nga deklaratat e bëra nga kreu i qeverisë.
Dhe më kujtohet Andrea, e them me vete Do ta pickojnë përsëri popullin shqiptar në gjënë më të shtrenjtë të tij Votën? Për ta mbyllur me pak humor motra më kërcënon çdo ditë se nuk do të ma ndërroj gjellën po nuk bëra kartën e identitetit. Por sa herë vete në bashkinë 5, ose e gjej plot me njerëz ose e gjej të mbyllur. Dhe për ta mbyllur nuk e di pse më kujtohet prapë ajo pyetja Ishte më mirë kur ishim më keq apo






Last Updated on Tuesday, 03 March 2009 15:50