Izaura Ndoj



Me lëvizjet e saj në skenë ajo e ka bërë për vete publikun, i cili gjithmonë dhe më shumë e vlerëson për atë që ajo sjell në baletin klasik si një balerinë soliste. Balerina Isida Mollaymeri, e cila ka vite që interpreton në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ka sjellë para publikut personazhe dhe karaktere nga më të ndryshmet që në moshën tetëvjeçare. Prej shumë vitesh ka marrë pjesë në shumë aktivitete koncertore të shkollës, jo vetëm në skenat shqiptare, por edhe ato të huaja. Ajo që e ka bërë të ndihet në vetvete shumë e sigurt drejt këtij profesioni, ka qenë fakti i të qenit gjithmonë soliste dhe kjo sepse është përkushtuar dhe ka punuar shumë. Duartrokitjet dhe spektatorët janë gjithmonë dhurata më e bukur dhe emocioni më i madh për të. Skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit e ka shkelur që në klasën e tetë. Është ndjerë e privilegjuar sepse në “Liqenin e mjellmave” (viti 2001), i cili është dhe baleti i saj i preferuar, është zgjedhur në mes të 34 pretendenteve balerina si soliste nga Artisti i Popullit Agron Aliaj. Përveç diplomimit, si të gjithë studentet e Akademisë së Dancit, në një shfaqje me prezencën e të gjithë diplomatëve po atë vit, Isida ka realizuar edhe një recital në TOB. Ndërkohë që recitali “Hëna blu” për Isidën ishte një testim në diplomën e saj. E, duke e konsideruar këtë recital si një prej momenteve më të veçanta dhe të vështira gjatë karrierës së saj, ajo tregon se “recitali më tregoi se kush jam dhe vlerat që kisha unë si një balerinë soliste. Recitali është bërë në bashkëpunim me mjeshtrin e skenës Agron Aliajn. Recitali për mua ka qenë gjëja më e madhe që kam realizuar deri tani, jam shumë e kënaqur sepse gjatë dy orëve në skenë isha e vetme dhe kishte një repertor shumë të pasur nga baletet botërore klasike edhe dy balete kontemporane që i bëri profesor Agroni”. Për moshën që ka, ka një gamë rolesh të mjaftueshme. Baleti shqiptar “Halili dhe Hajria”, roli te “Liqeni i mjellmave”, por dhe shumë role të tjera në shfaqje të ndryshme baleti e kanë bërë balerinën Isida Mollaymeri të jetë sot një ndër talentet e skenës për brezat e rinj. Megjithëse është në një moshë të re, ajo në karrierën e saj artistike numëron shumë role. Por, falë talentit të saj, ajo po merr dhe një drejtim tjetër, atë të aktrimit, gjë të cilën e ka shfaqur me pjesëmarrjen në shumë filma përkrah aktorëve të njohur si Timo Flloko. Këtë fundjavë ajo vjen për publikun kryeqytetas me baletin “Delina”, në rolin e Doruntinës. Më tej gjatë kësaj interviste ajo na tregon më shumë për jetën e saj artistike, cilat janë emocionet që i fal skena dhe na zbulon dhe projektet në vazhdim.





Me çfarë po merret konkretisht Isida Mollaymeri?

Momentalisht ne po vendosim në skenën e teatrit baletin shqiptar “Delina”. Ky balet është ndërtuar në një format shumë të bukur dhe është ndërtuar mbi bazën e disa legjendave shqiptare, ndërkohë që Delina është personazhi kryesor. Unë në këtë balet kam rolin e Doruntinës, që është me Konstadinin ku vuajtja paraqitet në momentin e fundit. “Në një prag dhe në një derë plasi si qelqi me verë”. Ky balet do të vijë në skenën e teatrit nga mjeshtri Agron Aliaj dhe vjen premierë për tri ditë. Është një balet shumë i mirë dhe mendoj se do të jetë një gjë shumë e bukur për të gjithë shqiptarët dhe do të ketë shumë audiencë, pasi është tradita dhe kultura shqiptare. Ndërkohë po merrem me shkollën, unë diplomohem këtë vit. Momentalisht ndjek dhe punë private; jam pjesë e (Dancing /////ëith the stars) në spektaklin që bëhet në Vizion Plus.



Çfarë do të thotë për ju të qenit balerinë soliste në Teatrin e Operas dhe Baletit?

Kjo do të thotë një punë e vërtetë sepse normalisht, të dish të mbash vendin duhet shumë punë, shumë ambicie, nuk duhet të lodhesh kurrë, nuk duhet të bësh asnjë ditë të vetme pushim; normalisht që kjo është një sakrificë shumë e madhe, por baleti është aq i bukur dhe pavarësisht lodhjeve, të jep një kënaqësi që nuk mund të tregohet me fjalë. Për mua është kënaqësi që të lodhem për këtë profesion. Kam marrë pjesë në shumë vepra artistike të vëna në skenë, ku do të përmendja këtu “Liqenin e mjellmave”, “Bajadera”, “Arrëthyesi”, “Silfida”, “Migjeniania”, “Lumi i vdekur”, “Halili dhe Hajria” etj. Kam qenë pjesë e të gjitha “Music holleve” që janë shfaqur në teatër.



Si ka nisur rruga drejt baletit për Isidën?

Unë që e vogël kam pasur ëndërr që të bëhem patinatore. Por në pamundësi motra më futi në Pallatin e Pionierëve, të isha pjesë e tij që në moshën shtatë vjeç. Që në ato momente filluan edhe ngacmimet e para drejt baletit. Filluan koncertet e fëmijëve, gjëra që normalisht të bënin për vete, të bënin të lidheshe në mënyrë shpirtërore me baletin. Që në moshën shtatëvjeçare filloi ambicia dhe dëshira për t’u bërë një balerinë. Më vonë kam konkurruar në Shkollën e Baletit dhe aty fitova. Që këtu filloi tamam ajo pjesa profesionale që mund të thosha sepse në Pallatin e Pionierëve ishin vetëm koncertet me të vegjlit. Në shkollë pastaj kam vazhduar shumë mirë, kam kërcyer shumë role solistike. Në vit të dytë kam përfaqësuar Shqipërinë në Beograd në një kompeticion europian ku pjesëmarrës ishin shumë shtete dhe në atë festival kam zënë vendin e dytë. Përfundimi i vitit të katër për mua ka qenë i veçantë sepse realizova recitalin tim “Hëna blu” në Teatrin e Operas dhe Baletit. Në teatër kam filluar të jem pjesë e tij që në klasë të tetë, normalisht pa ndonjë kontratë, por kam qenë pjesëmarrëse në të gjitha baletet dhe në të gjitha koncertet që janë shfaqur për publikun.



Çfarë ishte për ju recitali “Hëna blu”?

Recitali “Hëna blu” ishte, si të thuash, një testim në diplomën time. Recitali më tregoi se kush jam dhe vlerat që kisha si një balerinë soliste. Recitali është bërë në bashkëpunim me mjeshtrin e skenës Agron Aliajn. Recitali për mua ka qenë gjëja më e madhe që kam realizuar deri tani. Jam shumë e kënaqur, sepse gjatë dy orëve në skenë isha e vetme dhe kishte një repertor shumë të pasur nga baletet botërore klasike edhe dy balete kontemporane që i bëri profesor Agroni.



Baleti ka qenë një pasion, apo dikush tjetër ju shtyu drejt këtij?

Në fakt unë pasion kam pasur patinazhin, por në pamundësi, ime motër më futin në balet. Patinazhi dhe baleti për mua janë shumë të afërta dhe unë po e ndjek këtë ëndërr.



Kush ka qenë eksperienca më e bukur që të ka lënë mbresa?

Eksperienca më e bukur gjatë këtyre viteve ka qenë te “Liqeni i mjellmave” ku ishte hera e parë që merrja pjesë në Teatrin e Operas dhe Baletit. Ka qenë baleti më i bukur për mua që më ka falur emocion para publikut. Eksperienca e dytë, kur unë isha tamam si soliste, ka qenë në kohën kur isha në shkollë dhe kemi vendosur baletin “Halili dhe Hajria”. Ka qenë një balet shqiptar ku unë kisha personazhin e arabes si soliste. Pas një suksesi që pati në skenën shqiptare ky balet u shfaq edhe në Ohër. Më pas ka qenë recitali që më ka shfaqur si soliste në skenën e teatrit. Ishte një eksperiencë shumë e bukur sepse isha në çdo pjesë.



Po eksperienca më e vështirë për ju?

Në fakt nuk mbaj mend të kem pasur ndonjë eksperiencë të vështirë, por eksperiencë paksa e frikshme ka qenë momenti kur kam konkurruar në shkollë për vetë faktin se erdhi shumë papritur. Kam qenë në Itali me koncerte dhe kam ardhur vetëm dy ditë para konkursit. E kisha pak me frikë, me emocion. Kanë qenë ca ditë shumë të vështira, por edhe të lumtura.



Çfarë është për ju familja?

Familja për mua është shumë e shenjtë, familja është e vetmja gjë për të cilën Isida do të bëhej e keqe, do të dilte jashtë vetes së saj. I kam pasur dhe vazhdoj t’i kem mbështetësit e mi në rrugën që kam zgjedhur dhe do ta quaja veten me fat që më kuptojnë dhe më japin gjithnjë energji pozitive. Në fakt unë karakterizohem si një person i dashur dhe e çiltër me të tjerët. Nuk mërzitem kurrë, nuk më ngel hatri kurrë, por, nëse do të më cenonin te familja, do të bëhesha shumë e keqe.



Çfarë është për ju dashuria?

Dashuria është një ndjenë shumë e pasur, pa të cilën njeriu nuk mund të jetojë dot, çfarëdolloj dashurie të jetë. Dashuria është ajo ndjenjë e cila arrin të mbajë në jetë njeriun, arrin t’i japë shpresë për të vazhduar përpara. Njeriu, në qoftë se nuk ka dashuri, nuk ka jetë.



Si nis dhe përfundon një ditë e zakonshme për ty?

Dita ime nis duke më zgjuar babi me një puthje, duke ngrënë mëngjes, duke përkëdhelur qenin. Zakonisht zgjohem herët, pasi këtë kohë jam e angazhuar me punë. Më pëlqen që dita ime të nisë me njerëzit që dua më shumë, ata që ma bëjnë ditën më të bukur.

Të qenit balerinë është diçka e bukur. Çfarë bën Isida për ta mbajtur gjithmonë trupin në formë?

Isida nuk ka mbajtur kurrë dietë, ha çdo gjë. I vetmi kriter për mua është sepse nuk fus kurrë gjëra të thata në gojë. Kam metabolizëm të mirë, ushqehem me shumë kalori që në mëngjes, jam nepsqare dhe dua të provoj çdo gjë që më ofrohet në tavolinë apo që e shikoj me sy. Duket ngaqë lodhem nga provat, kam nevojë për ëmbëlsira, të cilat janë të preferuarat e mia.



Ju ka trembur ndonjë moment të vetëm skena?

Më ka trembur. Ka qenë momenti i recitalit, ku pesë minuta para se të fillonte më kapi një ankth dhe fillova të qaja. Kisha shumë emocione dhe nuk mbaj mend asgjë, por ajo zgjati për pak kohë. Hyrja në skenë më normalizoi dhe çdo gjë u shfaq ashtu siç ishte parashikuar.



Kush është pasioni i dytë për Isidën?

Pasioni i dytë i imi është moda. Më pëlqen shumë të merrem me modë, më pëlqejnë shumë sfilatat, më pëlqejnë fotot pa fund. Një pasion tjetër për mua është edhe aktrimi. Kam marrë pjesë në tre-katër filma, kam qenë pjesë e dy puntatave në telenovela. Pjesëmarrja e fundit si aktore është te filmi “Tingulli i heshtjes” një seria që jepet në Vizion Plus. Një bashkëpunim tjetër kam pasur edhe me një regjisor italian, i cili realizoi një film me aktorët shqiptarë dhe italianë, ajo ka qenë një eksperiencë shumë e bukur pasi unë luaja përkrah Timo Fllokos. Në këtë pjesë kam konkurruar rastësisht, bëra provat në Akademi dhe pas një muaji marr vesh që jam përzgjedhur dhe do të isha pjesë e kësaj. Më vonë kam marrë pjesë edhe në një telenovelë “Radio, radio” që jepet në DigitAlb, ku kam pasur një rol jo shumë të madh. Gjithashtu kam qenë pjesë e një telenovele që do bëhej në TVSH, ajo quhej “Pirueta”.



Sa ka arritur gama e roleve tuaja si balerinë soliste?

Mirë do të thosha. Unë jam e kënaqur, megjithëse kënaqësia dhe e mira nuk kanë fund. Për moshën që kam mendoj se kam arritur maksimumin, por për të arritur sa më shumë duhet të punoj më shumë dhe për të arritur sa më lart.



Çfarë simbolizon për ty roli i Doruntinës te baleti “Delina”?

Roli i Doruntinës është një rol shumë dramatik. Në këtë rol kam një përgjegjësi të madhe sepse duhet të jem keq shpirtërisht dhe ta shfaq atë për publikun me një emocion të papërshkruar. Doruntina nuk e di që vëllai i saj ka vdekur dhe ajo shkon me dashurinë më të madhe, njëkohësisht ajo vuan për të shtatë vëllezërit që i kanë vdekur, dhe momenti kur takon nënën e saj dhimbja për Doruntinën është aq e madhe dhe kjo është shumë delikate sepse përveç lëvizjeve të baletit unë duhet ta përcjell emocionin për publikun edhe përmes mimikës së fytyrës. Me pak fjalë, unë këtë gjendje në të cilën ndodhet Doruntina duhet ta përjetoj vetë. E kam marrë me shumë emocion sepse ky është një balet shqiptar dhe unë e ndiej akoma më shumë se sa mund t’i ndiej rolet e tjera për vetë faktin se është një krijimtari që i përket vendit tim.



Sa e rëndësishme është paraqitja në skenë për Isidën?

Paraqitja në skenë është shumë e rëndësishme, çdo lëvizje duhet të jetë perfekte, përveç lëvizjeve të baletit ndikon shumë te publiku edhe aparenca e jashtme. Medoemos duhet t’i përshtatemi rolit sepse është një gjë shumë e rëndësishme.



Kush është skena e ëndrrave tuaja?

Skena e ëndrrave të mia është Royal Palette, një skenë e njohur në Angli.



Kush janë projektet në një të ardhme?

Deri tani nuk kam ndonjë projekt që kam në duar për faktin sepse jam shumë e ngarkuar me punë, por një projekt për mua është diploma ime, që unë sapo e kam nisur dhe që do të jetë diçka shumë e madhe dhe e veçantë, sepse po punoj për të dhe po i përkushtohem me një vëmendje të veçantë.





6 Mars 2010