islamiNga Shahid Javed Burki


Trazira ka pushtuar shumicën e botës arabe. Në Siri, një luftë brutale ka marrë tashmë 250,000 jetë njerëzish, ka zhvendosur rreth gjysmën e popullsisë 21 milionë të vendit dhe ka dërguar një milionë refugjatë në azilkërkim në Europë. Në Jemen, fisi Houthi është ngritur kundër qeverisë dhe tani përballet me sulme ajrore të drejtuara nga sauditët. Konflikte si këto reflektojnë një numër faktorësh, ku më kryesorët janë konfliktet mes dy sekteve të islamit, sinive dhe shiitëve dhe mes fundamentalistëve dhe reformistëve.


Regjimi alavit i presidentit sirian Basha al-Assad shijon mbështetjen e fuqive shiite, veçanërisht Iranit, ndikimi rajonal i të cilit varet nga qëndrimi në pushtet i regjimit shiit. Kjo është saktësisht arsyeja përse fuqitë suni më e njohura Arabia Saudite po zotohen ta rrëzojnë këtë regjim. Qeveria e Jemenit, përkundrazi, drejtohet nga sunitë dhe kështu ka mbështetjen e Arabisë Saudite, e si rrjedhim edhe bombardimin e shiitëve houthis të mbështetur nga Irani. Nuk është çudi, që tensionet mes Iranit dhe Arabisë Saudite të jenë intensifikuar së fundmi, një trend që kulmoi në përkeqësimin e marrëdhënieve diplomatike mbi ekzekutimin nga Arabia Saudite e një kleriku të njohur shiit.


Kaosi i shkaktuar nga këto konflikte dhe nga destabiliteti në vende të tejra të rajonit si Afganistani dhe Irani i ka ofruar mundësi zhvillimi disa forcave vërtet të neveritshme, duke filluar me Shtetin Islamik, ISIS. Ky grup ka fituar aq ndikim saqë gjeneralët amerikanë i kanë kërkuar presidentit Barack Obama të autorizojnë trupa shtesë për tiu bashkuar luftimit kundër tij. Për më tepër, ka raporte se Shtetet e Bashkuara mund ta shtyjnë tërheqjen e trupave të vet nga Afganistani, ku një luftë brutale gjithnjë e më në rritje kundër qeverisë i ka mundësuar talibanëve të fitojnë territor dhe ka krijuar një hapësirë që ISIS të bëhet më aktiv. ISIS gjithashtu ka penetruar në Pakistan.


Elementi fetar i konfliktit që vlon në Lindjen e Mesme sot është një arsye madhore përse kanë qënë kaq të vështirë për tu çaktivizuar. Përçarja suni-shiitë i ka fillimet në vitin 632, kur profeti Muhamed vdiq pa saktësuar se si komuniteti mysliman me rritje të shpejtë duhet ta zgjidhte pasardhësin e tij. Ata që u bënë shiitë besonin se pozicioni duhet të mbetej në familjen e afërt të profetit dhe mbështetën përzgjedhjen e Ali in Abi Talib, kushëri i profetit dhe dhëndri i tij. Ata që u bënë suni mbështetën zgjedhjen e anëtarëve të tjerë të lartë të komunitetit: Adu Bakr, i cili shërbeu si një këshilltar i afërt i Muhamedit.


Sot, shumica e 1.6 miliardë myslimanëve janë suni. Ata janë gjerësisht të shpërndarë, hapur nëpër një rrip të gjerë nga Maroku në Indonezi. Pas dekadash migrimi në Europë dhe Amerikën Veriore, ka gjithashtu komunitete suni të forta në disa vende perëndimore.


Numri i shiitëve është 225 milionë dhe janë gjeografikisht më të përqendruar. Irani, me 83 milionë, është vendi me shumicën shiite më të madhe në botë, pasuar nga Pakistani me 30 milionë dhe India me 25 milionë. Shiitët përfshirë Iranin dhe fqinjët e tij si Afganistani, Azerbajxhani, Iraku, Pakistani dhe Turqia llogariten për 70 për qind të popullatës totale të sektit.


Kjo shpërndarje gjeografike është rezultat i një serie aksidentesh historike, një kombinim i pushtimeve dhe asimilimeve (shpesh të detyruara). Megjithëse islami mbërriti në Iran përmes pushtimit në 637-651, vendi nuk e përqafoi zyrtarisht këtë sekt për edhe një mijëvjeçar tjetër, me Shahun Ismail I i dinastisë Safavid që ndërmori një konvertim me dhunë te popullata suni e vendit.


Shiizmi u përhap në Azinë jugore si rezultat i sulmeve të vazhduara ushtarake nga sunduesit e Persisë në Afganistan dhe Indi. Sot, popullsia shiite e këtij rajoni është e përqendruar në zonat urbane dhe përbëhet kryesisht nga pasardhësit e ushtarëve dhe funksionarëve të tjerë shtetërorë që qënddruan pas në territoret e pushtuara.


Islami suni, nga ana tjetër, u përhap së pari në Azinë Jugore përmes shenjtorëve sufi, shumica e të cilëve vinin nga Azia Qendrore dhe predikonte një formë më tolerante dhe më gjithëpërfshirëse të islamit sesa ai në Gadishullin Arabik. Por rritja e ndikimit të Arabisë Saudite pas viteve 1970, kur rritja e çmimeve të naftës zhvilloi ndjeshëm pasurinë e vendit, ndihmoi në përhapjen e sektit Vahabi, dominant dhe të rreptë të Mbretërisë.


Përtej tërheqjes së miliona punëtorëve myslimanë nga Azia e Jugut, Arabia Saudite financoi krijimin e medreseve Vahabi në kufirin e Afganistanit dhe Pakistanit. Talebanët (që në arabisht do të thotë studentët) në Afganistan dhe Pakistan janë produkt i këtyre seminareve, siç janë milicitë si Lashkar-e-Taiba dhe Lashkar-e-Jhangvi, që kanë kryer sulme mbi vende fetare në Indi.


Trazira e sotme reflekton një përplasje pikëpamjesh që janë si teologjike dhe politike. Sunitë konservativë, si ata që mbështesin vahabistët fundamentalistë, mbështesin sundimin autoritar teokratik, ndërsa sufitë suni më të moderuar preferojnë sisteme politike liberale dhe më gjithëpërfshirëse.  E njëjta gjë është e vërtetë për shiitët. Irani ka ngecur prej kohësh në sundimin teokratik, por tani duket se po sheh përpara drejt reformave. Nëse ndarja sektare mund të lihet ndonjëherë pas krahëve, kjo varet shumë nëse reformistët mund të fitojnë mjaftueshëm mbështetje në të dyja kampet. Nëse jo, konflikti do të vazhdojë të gëlojë, duke sjellë shkatërrim të rendit rajonal, siç e shohim tani.


Project Syndicate-BIRN