New York, gusht – është një Amerikë ku nuk ka rëndësi se cilën gjuhë e flet, në cilin Zot beson, apo sa janë të thella rrënjët e tua në botën e re. është kjo një Amerikë ku besnikëria ndaj Kushtetutës i tejkalon dallimet etnike, barrierat gjuhësore dhe ndasitë detare.
Mirëpo është edhe një Amerikë tjetër, ajo që veten e sheh si kulturë e veçantë, e jo vetëm një varg normash politike. Kjo Amerikë flet anglisht, jo spanjisht, kinezisht apo arabisht. Ajo kthehet nga trashëgimia e posaçme fetare: fillimisht protestantizmi e pastaj edhe konsensusi hebraik i krishterë, që u përshtatej si hebraikëve, ashtu edhe të krishterëve. Ajo nxjerr normat e veta nga diaspora anglosaksone dhe pret që të ardhurit të asimilohen menjëherë mbi këto norma.
Këto dy botëkuptime mbi Amerikën, një kushtetues dhe një kulturor, kanë qenë në mospërputhje njëra me tjetrën gjatë tërë historisë. Ato janë vënë në sprovë sërish këtë verë, me ndërtimin e një xhamie islamike dhe një qendre kulturore vetëm dy lagje larg kullave binjake.
Amerika e parë e sheh këtë projekt si shprehje të zakonshme të idealeve të larta të kombit tonë. “Kjo është Amerika”, tha presidenti Obama gjatë javës së kaluar “dhe përkushtimi ynë për lirinë fetare duhet të mbetet i paluhatur”. Ndërtimi i xhamisë, tha prefekti Michael Bloomberg, është një sprovë e rëndësishme e parimit të lirisë fetare.
Amerika e dytë mendon ndryshe. Këtë projekt e sheh si fyerje për kujtimin e 11 shtatorit dhe mosrespektim të vlerave të një shteti në të cilin islami rishtazi është futur në vetëdijen publike. Po ashtu, nën këto shqetësime është i përfshirë edhe dyshimi më i errët se islami në asnjë formë nuk mund të përshtatet me mënyrën amerikane të të jetuarit.
Këtë formë e ka marrë edhe debati. Amerika e parë bën fjalime më të buta, derisa Amerika e dytë tingëllon paksa më ksenofobike. Amerika e parë u kishte uruar mirëseardhjen turmave të varfra e të lodhura; Amerika e dytë kishte kërkuar që ata t’i ndërronin emrat dhe të mos e përdornin gjuhën e tyre amtare, e shpesh i kishte shpërndarë turmat që të mos përqendroheshin në një vend. Amerika e parë kishte përkrahur lirinë fetare; Amerika e dytë i kishte persekutuar mormonët dhe i kishte diskriminuar katolikët.
Mirëpo që të dyja këto botëkuptime ngërthejnë në vete diçka më vlerë, e cila ka qenë e domosdoshme për eksperimentin e suksesshëm të Amerikës. Gjatë valëve të mëdha të imigrantëve në shekullin XIX, insistimi që të porsaardhurit t’i përshtaten kulturës anglo-saksone – dhe kërcënimi me diskriminim, po qe se ata nuk bënin diçka të tillë – pati rëndësi të jashtëzakonshme në asimilimin e tyre të shpejtë. Ndalesat e imigrimit pas vitit 1920 ishin drakonike në shumë mënyra, mirëpo ato ndihmuan që ndasitë e vazhdueshme etnike të shkriheshin në një amerikanizëm të përgjithshëm. E njëjta vlente edhe për fenë. Presioni i vazhdueshëm për t’u përshtatur me normat amerikane, i shprehur në mënyra të gabuara, në fund të fundit bindi mormonët që të hiqnin dorë nga poligamia, duke e lehtësuar asimilimin e tyre në Amerikë.
Shqetësimet rreth tendencave joliberale të krishterimit inspiruan katolikët amerikanë që ta nxisin kishën e tyre drejt pranimit të virtyteve të demokracisë, duke u mundësuar gjeneratave të imigrantëve që të ndiheshin sa katolikë, ashtu edhe amerikanë.
Ashtu ndodh sot edhe me islamin. Amerika e parë ka të drejtë që insiston në të drejtën absolute të myslimanëve për të ndërtuar dhe për t’u falur ku të dëshirojnë. Mirëpo, Amerika e dytë ka të drejtë që kërkon diçka më shumë prej myslimano-amerikanëve – posaçërisht prej personave si Feisal Abdul Rauf, imami prapa xhamisë – sesa shprehjet e thjeshta të vullnetit të mirë.
Shumë shpesh institucionet myslimano-amerikane kanë qenë të lidhura me ide e grupe, të cilat amerikanët i konsiderojnë me të drejtë të këqija. Shumë shpesh liderët myslimano-amerikanë japin mesazhe të paqarta, kur kërkojnë që të mos lidhen fare me kauzat joliberale.
Në bazë të standardeve globale, Rauf mund të jetë model i një “myslimani të moderuar”. Mirëpo, standardet globale dhe standardet amerikane ndryshojnë. Në mënyrë që myslimano-amerikanët të integrohen tërësisht në jetën tonë, atyre do t’u duhen prijës që nuk e quajnë Amerikën si “bashkëfajtore në krimin” e 11 shtatorit (ashtu siç tha Rauf pak pas sulmeve të 2001-s), apo t’u shmangen pyetjeve rreth asaj nëse grupet si “Hamasi” janë organizata terroriste (siç bëri Rauf gjatë një interviste në radio në qershor). Po ashtu, atyre do t’u duhen liderë që e kuptojnë se kërkesës për dialog ndërfetar nuk i kontribuon ndërtimi i një xhamie vetëm dy lagje larg vendit ku u krye vrasja masive në emër të islamit.
Me fjalë të tjera, atyre u duhen prijës që kuptojnë se derisa idealet e Amerikës së parë mbrojnë shumicën, janë kërkesat e Amerikës së dytë që ndihmojnë ta krijojnë individin.
 
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “New York Times”. “Koha Ditore” ka të drejtën ekskluzive të botimit të kolumneve të tij)