Letërporosia


Në aktet e prokurorisë së Romës dhe Milanos detajohet i gjithë aktiviteti i trafikut të drogës 


Drejtësia italiane këmbëngul për ekstradimin e Fatmir Kajollit, i cili është dënuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, nga Gjykata e Romës dhe Milanos. Në kryeqytetin italian, Kajolli është dënuar me 24 vjet burg, ndërsa në Milano me 16 vjet burg. Përpos këtyre vendimeve, gjykatat e Fierit dhe Vlorës (apeli) kanë vendosur arrest shtëpie. Burime nga Ministria e Drejtësisë thanë për gazetën Shqip se drejtësia italiane ka sjellë me anën e një letërporosie të gjithë aktivitetin kriminal të Kajollit, nga fillimi i trafikut të drogës, hetimi në prokurori dhe vendimet e dy gjykatave.


Në dosje janë të përfshira edhe përgjimet ndaj këtij grupi, i cili e ka filluar aktivitetin kriminal para vitit 2000. Ministria e Drejtësisë ka protokolluar dosjen italiane ndaj shtetasit Fatmir Kajolli, i arrestuar në qytetin e Fierit disa javë më parë, me kërkesë të drejtësisë italiane. Dosja është dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe bashkërisht, përkthyesit e ministrisë dhe akuzë po punojnë për përshtatjen e saj në gjuhën shqipe, thanë burimet nga ministria. Sipas tyre, është prokuroria ajo që ka të gjithë tagrin ti paraqesë në gjykatë këto akte dhe më pas të vendoset për ekstradimin ose jo të Kajollit në shtetin italian. Ndërkohë, lajmi konfirmohet edhe nga burime të akuzës qendrore që saktësojnë se pas përkthimit dosja do të kalojë në Prokurorinë e Fierit.


Fatmir Kajolli u ndalua disa javë më parë nga Policia e Fierit, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Roma. Në njoftimin e atëhershëm të policisë thuhej se Gjykata e Romës Itali, me vendim Nr. 12423/1 RGM-N 7835/1 RGGIP, datë 26.11.2001 e ka dënuar Fatmir Kajollin me 24 vjet burg për veprën penale të trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve dhe lëndëve psikotrope, si dhe Gjykata e Milanos Itali me vendim Nr. 6886/98 RGNR-N.3081/98 RGGIP, datë 18.09.2000 ka vendosur me 16 vjet burg për pjesëmarrje në organizatat kriminale me qëllim trafik narkotikësh ndaj tij.


Disa ditë më parë, Gjykata e Apelit Vlorë e ka vlerësuar si të drejtë caktimin e masës së sigurisë arrest shtëpiak të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier, për të dënuarin nga drejtësia italiane, anëtarin e Këshillit të Bashkisë Fier, Fatmir Kajollin. Pas ankimimit të kryer nga Prokuroria e Rrethit Fier, lidhur me masën e sigurisë së vendosur nga Gjykata e Fierit, Apeli ka vendosur ta lërë në fuqi arrestin shtëpiak, duke e rrëzuar kërkesën e organit të akuzës, që kërkoi caktimin e masës arrest në burg, pa afat.


Italia sjell dosjen e Kajollit, kërkon ekstradimin e republikanit burimi: Gazeta Shqip