Lideri i Iniciativës Qytetare Serbe, Oliver Ivanoviq është dënuar me nëntë vjet burg për krime lufte por ai deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit do të qëndrojë në shtëpi e jo në paraburgim

Kështu ka vendosur kryetarja e Trupit Gjykues të Gjykatës Themelore në Mitrovicë Roxana Comsa.

Kjo gjyqtare dhe kolegët e saj kanë vendosur që Ivanoviq të shpallet fajtor për krime lufte ndërsa katër të akuzuarit tjerë Dragolub Delibashiq, , Ilija Vujaçiq, Nebojsha Vujaçiq, dhe Aleksandër Llazoviq.

Pas shpalljes së vendimit për Ivanoviqin, prokurori Romulo Mateus ka kërkuar që Ivanoviqit të dërgohet në paraburgim e jo në arrest shtëpiak siç ishte deri më tani.

Por gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorit duke vendosur që Ivanoviq të qëndrojë në arrest shtëpiak derisa vendimi të bëhet i plotfuqishëm.

Lidhur me kërkesën e e prokurorit ka reaguar avokati i Ivanoviqit, Nebojsha Vllajiq, i cili tha se Ivanoviq duhet të mbahet në arrest shtëpiak dhe jo në paraburgim.

Sipas tij paraqitja e tij në gjykatë është dëshmi që ai do t'i përgjigjet drejtësisë, andaj edhe duhet të mbesë në arrest shtëpiak.

I pakënaqur me vendimin e Trupit Gjykues që Ivanoviqit t'i vendoset masa e arrestit shtëpiak e jo në paraburgim është shprehur përfaqësuesi i viktimave, Burhan Maxhuni.

Maxhuni pas vendimit ka thënë se i gëzohet dënimit të Ivanovicqt por, që thotë se mbetet i pakënaqur me kohën sa i është caktuar dënimi.

Ndërsa, Gani Xhaka, i cili në vitin 2000 i është vrarë gruaja dhe i është plagosur vajza nga sulmet me bomba në veri të Mitrovicës ka kritikuar drejtësinë e EULEX-it duke thënë se jo të gjithë kanë marrë verdiktin e merituar.

Sipas tij, i akuzuari tjetër, Dragolub Delibashiq, kishte urdhëruar vrasjen e gruas së tij dhe të tjerëve, ndërsa është shpallur i pafajshëm.

Oliver Ivanoviq është akuzuar për krime lufte gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Për të njëjta vepra janë akuzuar edheish-komandanti MUP-it Dragolub Delibashiq, Ilija Vujaçiq, Nebojsha Vujaçiq, dhe Aleksandër Llazoviq të cilët janë shpallur të pafajshëm nga të gjitha akuzat.

Oliver Ivanoviq është arrestuar në janar të vitit 2014 ndërsa ka kaluar 20 muaj në paraburgim deri në shtator të vitit 2015 kur edhe i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Sipas aktakuzës më 14 prill 1999, në rrugën "Miladin Popoviq", tani "Ahmet Selaci" dhe në rrugën për në Bair, Ivanoviq duke vepruar si komandant i Stacionit në Mitrovicë në kuadër të MPB të Republikës Federale të Jugosllavisë urdhëroi një grup të caktuar të policëve që të bëjnë krime lufte kundër personave që nuk ishin direkt të përfshirë në luftime dhe me këtë urdhëroi që të kryejnë vrasjen e viktimave të nacionalitetit shqiptar, e që janë: Fatmir Mustafa, Skender Paqarada, Avni Abazi, Mehmet Sefari, Isa Mustafa, Xhemshit Smajli, Behxhet Ferizi, Mentor Mehana dhe Shefki Kosumi.

Si rezultat i kësaj, nën komandën dhe kontrollin e Ivanoviqit janë pushkatuar për vdekje Fatmir Mustafa, Skënder Paqarada, Avni Abazi dhe Mehmet Sefari.

Ndërsa pas luftës, më 3 shkurt të vitit 2000 grupe të policëve të MUP-it dhe të Rojave të Urës iu bashkuan një grupi spontan të serbëve të Mitrovicës Veriore, të cilët hynë në ndërtesat ku jetonin familjet shqiptare, me qëllim të dëbimit të tyre dhe me qëllim final që t'i vrisnin, dhe i vranë personat në vazhdim duke përdorur mjete eksplozive, armë dhe thika:

Viktimat ishin: Nderim Ajeti, Nexhmije Xhaka, Sebiha Abrashi, Remzije Canhasi, Muharrem Sokoli, Selime Berisha, Nezir Voca, Shqipe Voca, Bashkim Rukeci dhe Nimon Sejdiu.

Nga aksioni i parë, ku janë përdorur mjete eksploduese, armë dhe thika kanë mbijetuar me lëndime të rënda Rrezarta Ajeti, Nexhmedin Ajeti dhe Emine Ajeti./KosovaPress/