Nga SOKRAT PAPADHOPULLI


Gjirokastritët kanë disa favore në krahasim me ekipin vendës, ku thelbësor mbetet grupi i futbollistëve titullarë dhe stafi teknik


Luftëtari, pasi likujdoi llogaritë për këtë kampionat me ekipin që ndodhet në fund të renditjes, Himarën, më parë edhe me Vlorën, për javën e 18-të do të luajë në Skrapar me ekipin po me këtë emër, që aktualisht është i parafundit. Ndeshja me Himarën nuk prezantoi një Luftëtar konstant në lojën e tij, pasi vetëm në pjesën e dytë u pa ai që frikëson aktorët e tjerë të kategorisë së parë.


Skrapari në fushën e tij ka 3 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje, pra nuk është kafshatë që kapërdihet lehtë, por Luftëtari, me potencialin që posedon, mund ti bëjë humbjet edhe 3, si për uniformitet. Luftëtari ka realizuar 13 fitore, nga të cilat 5 jashtë fushe, dhe po aq radhazi në ndeshjet e fundit. Kundërshtar më të fortë këtë javë gjirokastritët kanë fushën, që u jep krahë lojtarëve që e përfaqësojnë Skraparin.


Pra, pse mund ta fitojë Luftëtari këtë ndeshje? Luftëtari mund ta fitojë këtë ndeshje, sepse në portë ka Selimajn, që në 16 ndeshjet  që ka luajtur, pa munguar asnjë fraksion sekonde, ka pësuar 9 gola dhe në 7 prej tyre (2 në transfertë) nuk ka pësuar asnjë gol.


Luftëtari mund të fitojë në Skrapar, sepse në sulm ka Norën dhe Raboshtën, që përkatësisht kanë shënuar 10 dhe 8 gola, se në mbrojtje ka Sinanin, Ninon, Hithin dhe Bacin, që kanë përvojë dhe aftësi, kurse në mesfushë ka Devollin, që ndërton dhe shkatërron si di ai, ka Stojën që organizon mjaft këndshëm, Çaçon, Mersinin, Ramadanin dhe Stratin, që manovrojnë, pasojnë me përpikëri dhe disa shënojnë edhe gola.


Po ashtu, për çdo  rast ka Gaxhajn, Brahimin, Zholin, Brahon, Llukën, Bistrin dhe të tjerë. Dhe të gjithë këta janë nën komandën e trajnerit Nevil Dede, ish-futbollist ndër më të shquarit e futbollit tonë dhe në kërkim të një niveli të tillë edhe si trajner, sikundër tentojnë edhe bashkëpuntorët e tij Novi dhe Kristidhi. Që të 3 janë në fillimet e karrierës së tyre në këto role.


Pra, Luftëtari është një ekip relativisht i kompletuar. Ai mund të mos fitojë në rast mungese të plotë fati, në rast se gjykimi do të jetë i njëanshëm, joprofesionist dhe në disfavor të tij, në rast se zhvillohet lojë brutale dhe faktorë të tjerë josportivë. Por, në fund të fundit, ekziston edhe surpriza.


Tifozët gjirokastritë shpresojnë se ekipi i tyre në Skrapar do të tregojë personalitetin që ka filluar të formojë që në fillim të këtij sezoni dhe që tani e ka të brumosur. Kësisoj, do të kthehet prej andej  i dehur nga suksesi dhe jo nga rakia e famshme e atyre trojeve.