Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e Festës së Pashkëve, i dërgoi një mesazh urimi Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji dhe të gjithë besimtarëve katolikë.

"Më lejoni që në emrin tim personal, por edhe në emër të Institucioneve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, Juve dhe të gjithë besimtarëve t'iu urojë që këtë festë të ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe ripërtëritjes së besimit te Zoti ta kremtoni në paqe, shëndet e harmoni.

Festat si kjo e Pashkëve, kthejnë ndjenjën e bashkimit dhe të solidaritetit me të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetjen dhe për përkujdesjen institucionale. Andaj, në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të tolerancës së bashku të punojmë për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe të lutemi për paqe, siguri dhe begati për gjithë njerëzimin", ka shkruar Jahjga në mësazhin e urimit.

Ajo urime të përzemërta ua përcjelli edhe ambasadorëve, përfaqësuesve diplomatikë, komandantit dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë, që po festojnë Pashkët në vendin tonë.