Ish-ushtari britanik, i cili shërbeu në Kosovë në kuadër të forcave të KFOR-it pas intervenimit ushtarak që NATO bëri ndaj forcave serbe, tani, në rolin e këngëtarit, ka përgatitur një dokumentar duke shpalosur përvojën e tij në Kosovë dhe tmerrin që shqiptarët përjetuan në luftën e vitit 1999.


E gjitha e dokumentuar në video, nga lajmet e medieve botërore kur atëbotë raportonin për gjendjen dhe tmerrin që përjetonin civilët shqiptarë të Kosovës nga dhuna e forcave të ushtrisë, policisë e paramilitarëve serbë, e deri tek video-incizimet që vetë James i kishte bërë në raste të ndryshme gjatë shërbimit të tij në Kosovë.


Dokumentari James Blunt: Return to Kosovo – From Soldier to Singer (James Blunt: Kthimi në Kosovë nga ushtari në këngëtar), shënon gjithashtu kthimin e tij në Kosovë për herë të parë pas vitit 1999, duke kënduar hitin e tij Youre Beautiful për ushtarët e KFOR-it të stacionuar në Kosovë. Ai gjithashtu shfaq edhe incizime të rralla nga video-ditari i tij gjatë shërbimit në Kosovë.


Dokumentari James Blunt: Return to Kosovo paraqet ish-kapitenin ushtarak të Britanisë, tashmë të shndërruar në këngëtar shumë të famshëm, duke performuar gjatë një koncerti që ai mbajti shtatorin e vitit 2006 për trupat e NATO-s në Kosovë.


Regjisor i këtij dokumentari është Steven Cantor.