Këngëtari britanik ndalon për herë të parë në Shqipëri gjatë turit botëror


Këngëtari i njohur për publikun shqiptar me hitet e përbotshme “You’re beautiful”, “Goodbye My Lover” apo “1973”, për herë të parë këndon në Tiranë sonte në orën 23.00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Edhe këtë herë është “Living Room Shoë” që ka bërë të mundur të krijojë një stacionpër një yll muzikor që po kalonte poshtë hundës, fare afër në Kosovë për të vazhduar në Greqi dhe për ta mbyllur turin në Amerikë.


Ai nuk mundi ta mbajë koncertin e planifikuar në Prishtinë, siç thuhet, për shkak të “mosmarrëveshjeve me promotorët”. Ishte një koncert i shumëpritur për publikun në Kosovë, pasi emri i James Blunt-it ka për ta një simbolikë të veçantë: është ai ushtari paqeruajtës i NATOS-s që u ndodh në Kosovë në ditët kur ajo u bë e lirë. Nuk dihet se si kanë vepruar organizatorët me biletat që janë blerë në Kosovë, nëse ato do të jenë të vlefshme edhe për në Tiranë. Nëse po, atëherë parashikohet vërtet dyndje sonte tek “Qemal Stafa”, sepse Blunt ka boll dashamirës edhe në Shqipëri.


Biletat kanë pasur një çmim të arsyeshëm: 1000 lekë në fushë dhe 1 500 lekë në stadium.


James Blunt del para medias për një konferencë shtypi sot në orën 14.30 në Hotel “Sheraton” ku thuhet se është rehatuar nga dje. Koncerti nis në orën 23.00, por stadiumi hapet qysh në orën 19:00, për të ndjekur “live” prej aty ndeshjen Francë-Itali, ndërkohë që skena do të ketë në sfond një piano. Aty Blunt do të këndojë për 90 minuta këngët e albumit të tij të dytë dhe hite të të parit, i shoqëruar nga banda e tij.


James Blunt (1974) debutoi si kantautor me albumin “Kthim në Bedlam” prej të cilit shumë shpejt u shndërrua në hit kënga “Ti je e bukur” (You’re Beautiful) që e bëri të famshëm më 2005. Stili i tij është një përzierje e popit, rrokut dhe folkut. Ai intepreton edhe në piano dhe kitarrë. Ka fituar dy Çmime BRIT dhe dy Çmime “Ivor Novello”, dhe në vitin 2006 ka qenë kandidat për pesë Grammy Awards. Albumi i parë, edhe pse kishte tërhequr fare pak vëmendjen e kritikës dhe sidomos të kritikës britanike, është albumi më mirë i shitur për një vit në gjithë botën dhe hyri në Librin e Rekordeve Guinness si albumi i shitur më shpejt në një vit në gjithë botën, më 2006.


Dy vjet më vonë, realizoi albumin “Gjithë shpirtrat e humbur” (All The Lost Souls), dhe kënga fatlume që ngjiti majat që javën e parë është “1973” e cila për muajin tetor të vitit të shkuar ishte hiti nr. 1 në botë. Të dy albumet Blunt i ka nxjerrë me producentin Tom Rothrock.


Që nga koha që James Blunt ka nisur karrierën muzikore është lidhur edhe më shumë me familjen. Sa për jetën private thuhet se ka pasur lidhje intime me regjisoren Dixie Chassay, këngëtaren Camilla Boler, dhe supermodelen Petra Nemcova. Atij i duket i çuditshëm interesi që ngjallet për jetën e tij personale prandaj dhe ka thënë: “fama dhe popullariteti është diçka që e kanë krijuar njerëzit e tjerë dhe ku në të vërtetë unë nuk bëj pjesë.”


Blunt ka mbledhur fonde për Médecins Sans Frontières (MSF), e njohur ndryshe si Doktorët Pa Kufij, përmes koncerteve të bamirësisë. Takimi i parë i tij me MSF ishte gjatë shërbimit në Kosovë, ku i bënë shumë përshtypje puna e këtyre mjekëve megjithë mbështetjen dhe sigurinë minimale.