10/03/2005  Lëvizjet diplomatike të Shqipërisë kanë shkaktuar zhelozi mes Italisë dhe Gjermanisë. Si do të votohet për reformën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së


PËRMET - Duket se lëvizjet diplomatike të Kryeministrit shqiptar, Fatos Nano, kanë ndezur xhelozi mes Italisë dhe Gjermanisë. Kryeministri shqiptar ka shkëmbyer dje në Përmet replika të ashpra me ambasadorin e Italisë, Masimo Januçi. Ky i fundit mësohet se e ka cilësuar tradhtar Nanon, për shkak se Kryeministri ka preferuar të mbështesë projektin gjerman për reformimin e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, i cili do të votohet pas pak muajsh. Një vit më parë, Italia ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për votimin e këtij projekti. Por qeveria shqiptare ka preferuar të mbështesë këtë radhë Gjermaninë. Një fakt i tillë është konstatuar në takimin më të fundit mes Kryeministrit Fatos Nano dhe kancelarit të Gjermanisë, Shrëder. Pak javë më parë, në Gjermani, Nano ka deklaruar se ka marrë mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë. Por, kjo nuk i ka pëlqyer ambasadorit të Italisë, i cili i ka kujtuar dje Nanos takimin e zhvilluar në Itali, mes tij dhe Berluskonit.


Takimi


Januçi dhe Nano janë takuar rastësisht në komunën e vogël të Sukës në Përmet. Burimet thanë se, ambasadori i ka thënë Nanon, se jeni një tradhtar. Një deklaratë e tillë ka sjellë reagimin e Nanos, i cili është shprehur me të njëjtën gjuhë ndaj ambasadorit. Takimi ka zgjatur vetëm 10 minuta, ndërsa pas debatit palët janë nisur mjaft të acaruar. Ambasadori italian është kthyer më pas në Vlorë, ku ka vizituar grupin e 28 të marinës italiane dhe është njohur me faktin e dekorimit të kryekomandantit Fiorentine dhe forcave të tij, nga ana e ministrit të transportit Poçi për kontributin në shpëtimin e anijeve në rastet e fatkeqësive detare, si ajo e shpëtimit të anijes shqiptare "MARINA" me gaz natyror. Ambasadori italian ka pohuar se, asistenca detare do të vazhdojë në dhënien e ndihmës dhe konkludimin e marrëveshjeve reciproke.


Qeveria


Kryeministri Fatos Nano është ndalur në qytetin e Përmetit, ku ai është pritur nga autoritetet e qeverisjes vendore dhe është përshëndetur nga banorë të këtij qyteti. Fillimisht, Kryeministri, në shenjë nderimi, ka bërë homazhe dhe ka vendosur një buqetë me lule në obeliskun kushtuar dëshmorit Tomorr Mullaraj si dhe disa të vrarëve të tjerë, që humbën jetën 8 vjet më parë, më 9 mars, në ngjarjet e vitit 1997. Në takimin me përfaqësues të pushtetit vendor në Përmet, Nano diskutoi rreth nismave të ndërmarra nga kjo bashki për zhvillimin social-ekonomik të zonës, për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të punës mes strukturave vendore dhe atyre qendrore, në këtë funksion, ecurinë e procesit të decentralizimit, etj. Gjithashtu, Kryeministri u ndal edhe në çështjen e strehimit, ku u vlerësua fakti që Përmeti ka patur zhvillime pozitive për trajtimin e rasteve të familjeve të pastreha, ku për vitin 2004-2005 janë akorduar 25 milionë lekë.


Januçi


Ambasadori Januçi gjatë qëndrimit në Vlorë u pyet nga gazetari i “Metropol” lidhur me incidentin në zyrat e komunës së Sukës të Përmetit. Ai vlerësoi takimin me Nanon në Përmet, ndërsa pohoi para mediave se nuk ka një acarim midis qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, por theksoi se në politikë një herë fiton njëri dhe një herë fiton tjetri.


Januçi, duke konfirmuar takimin e tij me Nanon në komunën e Sukës, bëri të ditur se “aty kemi shtrënguar duart me Kryeministrin Nano”.


Lidhur me replikat që ka shkëmbyer me Nanon, ambasadori Januçi bëri të ditur se “çdo qeveri sovrane është e pavaruar të veprojë sipas dëshirës së saj dhe në këtë rast vlen kjo aksiomë, sipas interesave kombëtare. Ende nuk është bërë votimi, por ka një deklaratë të qeverisë shqiptare pro projektit gjerman, kjo është ende deklaratë. Me zotin Nano vetëm sa kemi shtrënguar duart, ka pasur një debat konstruktiv midis nesh...”.


Ambasadori Masimo Januçi


“Qeveria shqiptare është e pavaruar të veprojë sipas dëshirës”


Ka pasur një debat me Nanon në Përmet...?


Është kryer një takim me Nanon në komunën e Sukës, ku nga ana e bashkiakut të qytetit më është bërë një panoramë e mirë e zhvillimit ekonomik dhe aty kemi shtrënguar duart me Kryeministrin Nano


Është e vërtetë që ju e keni quajtur atë tradhtar, nisur nga fakti që Qeveria shqiptare mund të votojë planin gjerman në Këshillin e Sigurimit e jo atë italian?


Çdo qeveri sovrane është e pavaruar të veprojë sipas dëshirës së saj, e në këtë rast vlen kjo aksiomë, sipas interesave kombëtare. Ende nuk është bërë votimi, por ka një deklaratë të qeverisë shqiptare pro projektit gjerman, kjo është ende deklaratë. Me zotin Nano vetëm sa kemi shtrënguar duart, ka pasur një debat konstruktiv midis nesh.......


Një ditë më parë


Januçi paralajmëroi braktisjen e Qendrës Antitrafik


Një ditë më parë, ambasadori italian, Masimo Januçi, “kërcënon” nga Vlora, se “Po s’ndyshuan gjërat për dy muaj, do të tërhiqemi nga Qendra Antitrafik”.


I shoqëruar nga pushtetarët e Vlorës, ambasadori Januçi vizitoi Qendrën Antitrafik, ku ka qenë mjaft i ashpër. Sapo ka dëgjuar rreth punës së bërë nga kjo qendër, ambasadori ka “shpërthyer” për punën mjaft të dobët të saj.


“Prej vitesh kemi sjellë këtu specialistët tanë më të mirë dhe nuk janë për të kaluar kohën në rrezet e bukura të Adriatikut. Taksapaguesit italianë paguajnë një kontribut të madh financiar për mbajtjen e specialistëve në këtë qendër dhe është jo normale që kjo qendër të ngelet vetëm si pikë pushimi”, tha Januçi.


“Shoh një burokraci në këtë mes, dhe duhet gjetur rruga e duhur. Nëse për 1-2 muajt e ardhshëm situata nuk do të ndryshojë, do t’i propozoj qeverisë italiane që të shohë mundësinë e tërheqjes së saj nga Qendra Antitrafik e Vlorës”, deklaroi ambasadori Januçi.


Specialistët shqiptarë janë “mbrojtur”, duke fajësuar mungesën e bashkëpunimit me palën gjermane e greke. Sipas specialistëve shqiptarë të qendrës, mësohet se pala gjermane është larguar prej kohësh, ndërsa ajo greke më shumë qëndron pasive.