Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, në asnjë mënyrë nuk pranon t'i verifikojë emrat e kandidatëve për regjistrim në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Ai kërkon debat publik me rektorin Ramadan Zejnullahu.
Jashari vazhdon të këmbëngulë se kërkesa për regjistrimin edhe të 1 mijë studentëve të tjerë është e drejtë dhe e ligjshme.
"Kur unë të dua mund me i vërtetu .... Nuk je ti organi që unë me ti vërtetu listat... Nëse ju jeni prokurore unë të ofroj çfarë të duash. Listat gjithmonë janë publikuar", ka theksuar Xhavit Jashari, përfaqësues i OVL-UÇK-së, transmeton RTK.
Jashari thotë se refuzimi i fëmijëve të familjeve kontribuuese për lirinë e vendit është i turpshëm.
"Ndoshta do të ishte mirë që në Kuvend të hapej një debat se kush janë ata që janë aty... ku studiojnë fëmijët e tyre... Fëmijët e tyre nuk janë pjesë të UP-së, ata i kanë fëmijët në universitetet më prestigjioze", ka shtuar Jashari.
Përfaqësuesi i kategorive të dala nga lufta ndër të tjera kërkon debat publik me rektorin Ramadan Zejnullahu.
Ai thotë se vetëm në këtë mënyrë të dyja palët do të mund të ballafaqonin të gjitha faktet lidhur me listat e dërguara prej tyre e që sipas tij të gjithë ata 1 mijë studentë meritojnë të jenë pjesë të UP-së.
I kontaktuar lidhur me këto zhvillime rektori Zejnullahu nuk ka pranuar të flasë.
Ai ka thënë se tashmë kjo çështje ka kaluar në instanca më të larta të shtetit dhe pritet përgjigjja e fundit nga qeveria.
Ndërkohë, Jashari thotë se brenda kësaj jave presin një përgjigje për listën e dërguar.