BEOGRAD- Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremic ka paralajmëruar se në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, që mbahet në Vjenë, do të theksojë faktin se marrëdhëniet në rajon janë përmirësuar në mënyrë drastike, por se ekziston edhe vetëm një çështje serioze, e hapur dhe e pazgjidhur, dhe kjo është çështja e statusit të ardhshëm të Kosovës. Në një deklaratë për një televizion serb, ai u shpreh se Kosova mbetet i vetmi problem i rajonit të Ballkanit.

“Nëse Serbia ka marrëdhënie të mira me të gjithë në rajon, e ky është problemi i vetëm, atëherë është e qartë se problemi nuk është Beogradi, por autoritetet e përkohshme të Prishtinës”- ka thënë Jeremic. Sipas tij, Beogradi nuk heq dorë nga qendrimi i tij për të mos njohur pavarësinë e Kosovës, e madje është i angazhuar për të penguar njohjet e shtetit të ri, duke shprehur besimin se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë në favor të palës serbe.

“Kemi politikë të qartë, nuk ka lëshime, nuk ka tërheqje mbrapa dhe ndryshim të politikës”, ka theksuar Jeremiç duke shtuar se Serbia është e gatshme për të biseduar me këdo dhe për çfardo lloj çështje që nuk cënon kushtetutën e vendit.
(m.a/News24/BalkanWeb)