Është një Mur Berlini. Rrëzojeni murin e mashtrimit. Është një mur Berlini. Rrëzoni murin e interesave kriminale ekonomike. Është një Mur Berlini. Më 28 Qershor shqiptarët ju votuan për të kryer detyrën e shenjtë të opozitës këtu në Parlament



Nga Jozefina Topalli*

Kryetare e Kuvendit

Si Kryetare e Kuvendit, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dëshiroj të përshëndes të gjithë qytetarët për manifestimin e mrekullueshëm të europianizimit, në përkujtimin e ndarjes me të kaluarën që për gjysmë shekulli na izoloi, na mohoi, na rrethoi me bunkerë, nuk na la fjalën e desh të na ndalonte edhe mendimin.

Historia jonë nuk mbaroi ditën kur rrëzuam murin, aty filloi historia jonë e re.

8 Dhjetori 2009 nuk ishte vetëm një përvjetor. Ajo ishte një thirrje e qindra e mijëra shqiptarëve. Ajo ishte një përgjigje e madhe dhe pozitive. 

Si Kryetare e Kuvendit, përshëndes vendosmërinë unike për aspiratën europiane.

Në shesh kishte të majtë e të djathtë, me parti dhe pa parti. 

Dua të falënderoj të gjithë shqiptarët, që si kurrë ndonjëherë, me një pjesëmarrje gati biblike festuan tek heroi i tyre kombëtar.

Ne rrëzuam Murin. Ne ndryshuam vendin. 

Më 8 dhjetor 2009, në atë orë të magjishme, Tirana e shqiptarët festuan ditën e lirisë së tyre. 

Mediat më të rëndësishme ndërkombëtare e quajtën si manifestim të shqiptarëve për të rikonfirmuar vendosmërinë e tyre për integrimin europian.

Para pak orësh BBC tha: "Mbi 500 mijë shqiptarë festuan Europën në sheshin Skëndërbej."
Ne përkujtuam ditën e ndarjes me bunkerët, urrejtjen.

19 vite më parë shqiptarët donin ti bashkoheshin kahut të drejtë të historisë!

Të rinjtë e të rejat, burrat dhe gratë ngritën peshë gjithë Shqipërinë për ta çuar atë drejt perëndimit. 

Po po, e ngritën peshë dhe tani historia është në anën tonë, ne jemi në perëndim, në jemi anëtarë të NATO-s, ne e bëmë Shqipërinë si gjithë Europa.

Ne po e bëjmë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian. Ne po heqim vizat.

Askush nuk mund të kthejë dot mbrapsht historinë tonë të demokracisë. Askush. Aq më pak ai që 8 dhjetorin e quan fatkeqësi.

Ata që kanë nostalgji për anën e gabuar të historisë, janë shumë pak. Përballë kanë gjithë energjinë pozitive të miliona shqiptarëve. Me 8 Dhjetor e pamë. Të gjithë e panë.
Jo më Mur Berlini. Kurrë më.

I bëj thirrje edhe deputetëve të opozitës. Rrëzojeni murin e bojkotit. 
Është një Mur Berlini. Rrëzojeni murin e mashtrimit. Është një mur Berlini. Rrëzoni murin e interesave kriminale ekonomike. Është një Mur Berlini. Më 28 Qershor shqiptarët ju votuan për të kryer detyrën e shenjtë të opozitës këtu në Parlament.

Më 8 Dhjetor të gjithë ishin në shesh tamam si në vitin 90. Vetëm se ishim shumë më shumë.

Vetëm ai që nuk pranon 8 dhjetorin e 1990, nuk pranon as 28 Qershorin 2009.

Tirana, do jetë gjithmonë në zemër të Europës. 

(*) Nga fjalimi sot në Kuvend