Rama të mos ecë me të kaluarën, por të shohë drejt së ardhmes


Kreu i grupit të Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul është shprehur sot se liberalizimi i vizave është një proces i pakthyeshëm dhe se qeveria shqiptare ka përmbushur me seriozitet kriteret e udhërrëfyesit. “Shqiptarët duhet të lëvizin të lirë, janë realizuar kriteret dhe s’ka asnjë pikëpyetje për këtë proces. Shqipëria, pas përparimeve të mëdha të dukshme që ka bërë, meriton plotësisht të jetë pjesë e familjes së vlerave evropiane. Procesi i liberalizimit të vizave për shqiptarët nuk do të ndalet për asnjë arsye, sepse shqiptarët duhet të lëvizin të lirë sepse Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm”- u shpreh Daul. Duke iu referuar edhe njëherë ngërçit politik në vend, kryetari i popullorëve evropianë, tha se palët duhet të shohin drejt së ardhmes. “Forcat politike duhet të zbatojnë rregullat që imponon demokracia në respekt të Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës”- deklaroi ndër të tjera, Joseph Daul. Komentet e tij, Daul i bëri gjatë një takimi të zhvilluar me Presidentin e Republikës. Kreu i grupit të Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul, është një nga mbështetësit më të palëkundur të perspektivës evropiane të Shqipërisë. Mbështetje kjo që u duk qartë në miratimin e rezolutës së integrimit dy ditë më parë në Parlamentin Evropian.

...