Kartonët e diplomave dhe letra e listës së notave janë me vula dhe firma të rregullta

Grupi hetimor dyshon për falsifikim të përsosur ose bashkëpunim me stafin

Zbulohet mekanizmi i dhënies së diplomave për juristë nga katër personat e arrestuar. Policia e kryeqytetit po e heton atë në dy pista, ku e para ka të bëjë me diploma të falsifikuara direkt nga të arrestuarit, ndërsa e dyta për bashkëpunim me stafin dhe me pedagogët e Fakultetin e Drejtësisë. Diplomat ishin të vulosura dhe të firmosura dhe sipër tyre shënoheshin të dhënat personale të personave që paguanin shtatëmijë euro. Nga ana tjetër, policia dyshon se personat e ndihmuar prej grupit të arrestuar mund të jenë të regjistruar edhe në sistem sikur kanë mbaruar fakultetin në mënyrë të rregullt.


Mekanizmi për diplomat false

Sipas të dhënave hetimore, katër personat kontaktonin sidomos me emigrantë që vinin nga jashtë vendit. Ata njiheshin me ta nëpërmjet personave të tjerë, të cilët dyshohen se kanë falsifikuar diploma për Juridik. Fillimisht u premtonin se diplomat ishin origjinale dhe të regjistruara nga Fakulteti i Drejtësisë. Pasi binin dakord në parim, ata kryenin veprimet e para, duke filluar që nga mbledhja e dokumentacionit përkatës. Të arrestuarit merrnin dëftesat origjinale të pjekurisë dhe duke u bazuar në numrin personal dhe në emrat e kërkuesve, i regjistronin në fakultet. Më pas, ata u kërkonin personave të interesuar të bënin derdhjen e kuotës së vitit shkollor në numrat përkatës të llogarive. Bashkë me numrat e llogarive, nënshkruhej edhe marrëveshja. Kërkuesit e diplomave “ngrinin” në bankë 7 mijë euro dhe pa qenë të dy të pranishëm, katër të arrestuarit nuk mund t’i tërhiqnin këto para. Zakonisht, për marrjen e parave lihej një numër llogarie i katër të arrestuarve. Në këtë moment, të dyshuarit u shpjegonin studentëve se duhej një kohë rreth dy ose tre muaj që të merrnin diplomën.


Bashkëpunim apo falsifikim

Këtu, ata shkëpusnin lidhjet me “studentët e drejtësisë” dhe punonin personalisht në mënyrë të fshehtë. Në lidhje me pjesë të aktivitetit, policia ka ngritur dy pista. Sipas policisë, e para ka të bëjë me diploma false për drejtësi. Ata mendohet se kishin siguruar kartonë të diplomave dhe të listave të notave, që ende nuk dihet nëse janë të rregullta, të cilat ishin të plotësuara edhe me vula dhe firma, e mbi to shkruanin të dhënat e studentëve të tyre. Pasi konfirmohej pagesa e shkollës dhe ata regjistroheshin në sistem nga Fakulteti i Drejtësisë, ata u jepnin diplomat në dorë, duke i pagëzuar si “juristë”. Megjithatë, dyshimet për pistën e dytë kanë të bëjnë me bashkëpunim në stafin e fakultetit. Antikorrupsioni në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës ka dyshime të forta se kartonët e diplomave dhe të listës së notave ishin origjinalë. Kështu, ata mendojnë se duke falsifikuar numrat personalë të të dhënave në fakultet, i kanë regjistruar këta persona sikur kanë mbaruar në periudha të ndryshme fakultetin, atëherë kur edhe të dhënat nuk kanë qenë të dixhitalizuara dhe ishin rikthyer për të marrë diplomat. Për këtë arsye, antikorrupsioni do të kërkojë sekuestrimin e dokumenteve në Fakultetin e Drejtësisë, me qëllim për të dokumentuar tërësisht veprimtarinë kriminale të këtij grupi dhe për të identifikuar bashkëpunëtorët e tyre. Policia tha se ka identifikuar pesë raste të këtyre personave, që kanë pajisur shtetas të ndryshëm me diploma false.








#