Bilanci pozitiv ka bërë që Juventusi të shohë me besim të tashmen, por mbi të gjitha drejt së ardhmes. Gjashtë milionë euro fitime nga edicioni 2008-‘09 (në gjashtë vitet e fundit bilancet kanë qenë gjithmonë negative) kanë bërë që paratë në arka të mos mungojnë, ashtu sikundër nuk mungojnë edhe idetë. Objektivi është që bardhezinjtë të rikthehen si lider në Itali dhe në Europë. Në merkaton aktuale, Juve shpenzoi 50 milionë euro: 24,5 për Diegon, 25 për Felipe Melon, ndërsa për Kanavaron dhe Kaseres ata nuk e kanë futur dorën në xhep. Blerjet hodhën bazat për vitin e ardhshëm, ku buxheti pritet të jetë i njëjtë: 50 milionë euro për ndryshime të vogla, jo për rinovim, nuk janë një shifër e vogël. Synohet afrimi i një mbrojtësi, ku objektivi është Filip Mekses i Romës, i cili kushton rreth 15 milionë euro. Ëndrra mbetet francezi i Bajernit, Frenk Riberi, për të krijuar një dyshe të jashtëzakonshme fantazistësh përkrah brazilianit Diego. Për sulmin alternativat janë Pandev, Kasano por edhe Xhuzepe Rosi.