Situata Elektronergjetike mund të konsiderohet nga më të mirat në vitet e fundit. Situata e rezervuarëve të hidrocentraleve për shkak të reshjeve është optimale, por vazhdimësia e reshjeve do të detyrojë autoritetet shtetërore përgjegjëse sërish të hapin portat e HEC-eve për të shkarkuar ujin, në mënyrë të kontrolluar që të mos rrezikohen digat dhe për pasojë edhe banorët e zonave rreth tyre. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Muharem Stojku, ka deklaruar për publikuan se portat deri më tash janë hapur herë pas herë, duke bërë një derdhje të ujit në 460 m3/sek. Por sipas tij, në ditët në vazhdim pritet që të rinisin shirat dhe kjo do të tejmbushë liqenet e HEC-eve, e për pasojë do të lindë nevoja e derdhjes së ujit. “Pritet që në 10 ditët në vazhdim të ketë shira, kjo do të vështirësojë situatën në HEC-et e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës dhe ne do të detyrohemi të hapim portat. Madje mund të them se derdhja e ujit mund të arrijë në këto ditë në shpejtësi prej afro 800 m3/sek”, - ka deklaruar drejtori i KESH-it, Stojku. Sipas tij, situata hidrike ka përmirësuar ndjeshëm prodhimin e energjisë në vend. Madje, në këtë periudhë KESH po arrin të importojë rreth 11 milionë kv/orë energji në ditë. Stoku ka thënë për median se gjatë ditëve të festave furnizimi me energji elektrike ka qenë i garantuar dhe qytetarëve nuk u ka munguar energjia në festa. Ai ka përmendur defektet e ndodhura në zonat e përmbytura, në të cilat grupet e punës së KESH-it kanë punuar pa ndërprerje për të rikthyer furnizimin normal me energji elektrike. Ajo që është paralajmëruar nga drejtori i KESH-it, Muharem Stojku, për rritjen e nivelit të shkarkimeve ka nisur që gjatë ditës së djeshme. Pasditen e djeshme, KESH rriti nivelin e shkarkimeve të ujit në kaskadën e lumit Drin. Burime nga kjo kaskadë bëjnë të ditur se nga liqeni i Fierzës po shkarkohen 440 m3/sek, në Koman, 500 metra kub ujë në sekondë dhe në Vaun e Dejës 700 m3 ujë/sek Por gjithsesi në ditët në vazhdim nëse niveli i reshjeve të shiut do të rritet, pritet të rritet edhe niveli i shkarkimeve të ujit, duke shkuar deri në 800 m3 ujë/sek.
Kjo situatë ka qenë optimiste vetëm për sa i përket prodhimit të energjisë elektrike, e cila në këto ditë ka arritur deri në 27.2 milionë kv/orë në ditë. Energjia e prodhuar nga hidrocentralet jo vetëm që plotëson kërkesat në vend, por një sasi e konsiderueshme po eksportohet. Sipas Stojkut, këto ditë po eksportohen 11.5 milionë kilovat/orë energji. Drejtuesit e KESH-it thonë se eksporti do të vazhdojë në këto nivele deri në fund të muajit.
Shkarkimet e ujit dhe prodhimi në nivelet rekord ka ulur me 32 centimetra nivelin e ujit në Fierzë. Në këtë liqen niveli i ujit ka arritur në 292.9 metra nga 291 metra që është kuota e lejuar për këtë periudhë të vitit. Stojku tha dy ditë më parë për mediat se niveli i Fierzës këto kohë nuk duhet të kalojë 290 metra, ndaj do të lindë nevoja për shkarkime të tjera të ujit. Sipas tij, hapja e portave do të bëhet në koordinim me grupet e Shtabit të Emergjencave të ngritur për zonat e përmbytura, Kryeboshit në Shkodër dhe Lezhë.
Situata hidrike në mbikëqyrjen e KESH-it:

Prodhimi i energjisë 27.2 milionë kv orë në ditë
Eksporti i energjisë 11.5 milionë kv orë në ditë
Fierza, kuota aktuale 292.9 metra
Fierza kuota e lejuar në këtë kohë 290 metra
Derdhja e ujit në HEC-e 460-700 m3 ujë/sek
Derdhja e ujit në vazhdim 800 m3 ujë/sek