Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dy kërkesa të Lëvizjes Socialiste për Integrim për komunat Poshnje dhe Qendrës-Skrapar në qarkun e Beratit. Kërkesat u rrëzuan për shkak të mosarritjes së kuorumit, pasi të dyja vendimet preknin rezultatin e nxjerrë nga KZAZ-ja dhe për këtë arsye kërkonin pesë vota, ndërkohë që morën vetëm katër. Në Poshnje u pranua kërkesa e LSI-së për të rinumëruar fletët e votimit të një qendre ku, sipas pretendimeve, votat e pavlefshme ishin llogaritur në favor të kandidatit të PS-së, Meleq Lila. Përpara se të hapej kutia e votimit, kandidati socialist ishte 2 vota më shumë se rivali i tij i koalicionit të djathtë, ndërsa në qendrën e votimit, 3480, për të cilën ishte edhe kërkesa, PS kishte 302 vota dhe PD 188. Fillimisht u hap zarfi me votat e kandidatit të PD-së, Kujtim Pelivani, ku dolën 186 vota pro tij, një votë e pavlefshme, e llogaritur si e vlefshme dhe 1 votë e kandidatit tjetër. Pas këqyrjes së zarfit Pelivanit iu konsideruan 186 vota të vlefshme, pra dy më pak se shifra fillestare. Ndërsa për kandidatin e PS-së ishin llogaritur si të vlefshme edhe 20 vota, të cilat kishin kryqe që preknin të dyja kuadratet. Me katër vota pro, këto fletë votimi u vlerësuan të pavlefshme, ndërkohë që Lilës iu shtua edhe një votë e gjetur në zarfin e kandidatit tjetër. Në përfundim, kandidati i LSI doli 15 vota më shumë se kandidati i PS-së, por propozimi për ta pranuar këtë rezultat u rrëzua për shkak se kishte vetëm katër vota pro, nga pesë që duhet të kishte. E njëjta situatë u krijua dje paradite në KQZ me komunën Qendër-Skrapar. Pasi KQZ-ja numëroi 2 kuti që nuk ishin përfshirë në rezultatin përfundimtar, Astrit Mustafaj i koalicionit “Aleanca për të ardhmen” kishte 105 vota më shumë se Gazmir Hysaj i koalicionit “Aleanca për qytetarin”. Por LSI-ja kërkoi që një qendër votimi me 128 votues të shpallej e pavlefshme, për shkak se kutia e materialeve zgjedhore kishte ardhur pa kodet e sigurisë. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, e hodhi në votë propozimin për ta shpallur qendrën e pavlefshme dhe rrjedhimisht votimin në të gjithë komunën, por ky propozim mori 4 vota pro dhe tre kundër, ndërkohë që duhet të merrte pesë vota, pasi kishte të bënte me ndryshimin e rezultatit. Megjithatë, përplasja për Poshnjen dhe Qendër-Skraparin mes PS-së dhe LSI-së do të vazhdojnë në Kolegjin Zgjedhor.


KQZ, sot vendimi për Fratarin dhe Bërxullin


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë sot tri kërkesa ankimore të PD-së, PS-së dhe PDIU-së. Në orën 10:00 do të shqyrtohet kërkesa e demokratëve për komunën Fratar, të cilët kanë kërkuar të shpallen të pavlefshme disa fletë votimi, ku është votuar së bashku me kundërfletë. Në të njëjtën kohë sot do të shqyrtohet një kërkesë e PS-së për ti shpallur të pavlefshme zgjedhjet në disa qendra votimi në Bërxullë si dhe një kërkesë e PDIU-së për Golemin.