Tiranë - Për ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode, duket se do të hapen së shpejti telashet me drejtësinë.

Ai është kallëzuar penalisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për shkak se deputeti Bode nuk ka deklaruar të ardhurat.

ILDKP ka dërguar në Prokurorinp e Përgjithshme kallëzim penal ndaj subjektit deklarues Ridvan Bode, me funksion Deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, për veprat penale të "Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim" dhe "Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale".

"Subjekti Ridvan Bode dhe pse u njoftua disa herë nga ILDKPKI gjatë procesit të hetimit administrativ, refuzoi të paraqitet për të dhënë shpjegime, lidhur me burimin e krijimit të pasurive të tij, familjarëve dhe të personave të lidhur me të, si dhe të paraqiste dokumentacionin justifikues-ligjor për to.

Pas depozitimit të kallëzimit penal, Inspektori i Përgjithshëm i kërkon Kuvendit të Republikës së Shqipërisë marrjen e masave të menjëhershme që raste të tilla, deputetësh që guxojnë të shpërfillin kërkesat e institucioneve ligj-zbatuese në Shqipëri, të mos përsëriten më në të ardhmen", thuhet në njoftim.


/Gazeta Start/