Sigal Prishtina është shpallur kampion i ri i Kosovës në basketboll, pasi të enjten mbrëma e mposhti në Pejë Trepçën në ndeshjen e katërt finale të play-off-it me rezultat 55:74, përkatësisht 3:1 në serinë e ndeshjeve finale. Për bardhekaltrit ky është titulli i pestë rresht, respektivisht i teti në periudhën e pasluftës.



Andaj, kryetrajneri i Sigal Prishtinës, Arben Krasniqi ka thënë se skuadra e tij konfirmoi edhe një herë se është numër një në basketbollin kosovar.



“Dëshmuam edhe njëherë se jemi skuadra më e mirë në Kosovë. E kemi merituar titullin e kampionit dhe gëzohem që e fituam”, ka deklaruar Krasniqi pas këtij takim, nën udhëheqjen e të cilit ekipi bardh e kaltër që pesë vite rresht shpallet kampion dhe po ashtu ka rrëmbyer pesë Kupa shtetërore.



Njëjtë si Krasniqi është shprehur edhe kapiteni i klubit kryeqytetas, Edmond Azemi. “Jam shumë i lumtur që e fituam titullin e kampionit sepse e kemi merituar dhe e kemi fituar me djersë të madhe. Deri para garat e play-off-it kemi luajtur pa përforcime në dallim prej skuadrave tjera që kanë pasur lojtarë të huaj e trajnerë. Merita të mëdha në këtë sukses tonin kanë edhe tifozët tonë Plisat, që na kanë ndihmuar shumë”, deklaroi Azemi për Express.



Sigal Prishtina mirë e nisi takimin përballë mitrovicasve, duke e mos lejuar ekipin kundërshtoi të mos kaloj asnjëherë në avantazh gjatë gjithë takimit. Kështu, qysh në fillim të ndeshjes bardhekaltrit krijuan epërsi deri në tetë pikë, kur rezultati në semafor ishte 2:10 për mysafirët. Kështu, falë mbrojtjes së fortë prishtinasit ia dolën ta përmbyllin këtë pjesë të ndeshjes në favor të tyre, 12:17.



Edhe në çerekun e dytë, Sigal Prishtina ishte kundërshtarë shumë i fortë për gjelbërezinjtë, duke e përmbyllur edhe këtë periudhë të lojës në favor të vet, përkatësisht me rezultat të përgjithshëm 30:36.



Çereku i tretë i ndeshjes kryeqytetasit ishin të papërmbajtshëm për mitrovicasit. Sigal Prishtina shpërtheu në këtë pjesë të lojës duke krijuar avantazh deri në 16 pikë, kur rezultati në semafor ishte 37:53. Pas kësaj periudhe të lojës rezultati i përgjithshëm ishte 44:60. Edhe në periudhën e fundit të ndeshjes Sigal Prishtina dominoi në parket duke e rritur epërsinë e saj ndaj minatorëve deri në 23 pikë epërsi, kur rezultati në semafor ishte 51:74. Kështu, ndeshja u përmbyll me rezultat përfundimtar 55:74.



Në fund ekipit fitues kupën e titullit të kampionit ia dorëzoi kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu, të cilin trofe e pranoi kapiteni i Sigal Prishtinës, Edmond Azemi.



Bashkimi kampion te femrat



Bashkimi nga Prizreni është shpallur kampion i ri i Kosovës në basketboll në konkurrencën e femrave. Vashat prizrenase iu gëzuan të mërkurën mbrëma titullit të kampionit, pasi e mposhtën si mysafirë edhe në ndeshjen e dytë finale të play-off-it Penzën, me rezultat 67:72, përkatësisht 2:0 me ndeshje finale.



Kupën e titullit të kampionit, por edhe medaljet për vashat e ekipit prizrenas i ndau anëtarja e bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Resmije Juniku. Me medalje u shpërblyen edhe basketbollistet e ekipit tjetër finalist, Penzës.