23/04/2005  Ishte zhdukur nga shtëpia e saj në Tufinë prej dy muajsh. Tmerri i studentes që e gjeti në dhomë


Kishte dy muaj që ishte larguar nga shtëpia e saj në Tufinë të Tiranës dhe kishte zgjedhur të jetonte në Qytetin Studenti, ku jetonte duke vjedhur dhomat e vajzave. Olsa Tatraku, 22 vjeçe nga Burreli dhe me banim në Tufinë, është arrestuar pasditen e djeshme nga forcat policore të Rajonit të Qytetit Studenti, pasi nga hetimet disaditore ka rezultuar të jetë autorja e vjedhjes së tri dhomave të godinave të vajzave. Vetëm mbrëmjen e dy ditëve më parë ka vjedhur dy dhoma, ku ka përfituar afro katërqind mijë lekë të vjetra, tesha dhe një pasaportë. Por 22-vjeçarja Tatraku prej dy muajsh rezultonte e zhdukur nga shtëpia dhe nuk u ka dhënë asnjë lajm familjarëve të tyre për vendndodhjen e saj.


Vjedhjet


Brenda pak ditëve rezulton që 22-vjeçarja Olsa Tatraku të ketë vjedhur tri dhoma në godinat e vajzave në Qytetin Studenti dhe dyshohet për disa të tjera. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime të policisë kryeqytetase, të cilat thanë se pasditen e djeshme 22-vjeçarja endacake, prej dy muajsh është arrestuar nga uniformat e Rajonit të Qytetit Studenti. Kështu vetëm pasditen dhe mesnatën e së premtes ajo ka vjedhur dy dhoma, ku në njërën ka qenë dëshmitare vetë studentja që banonte aty. Sipas policisë, ajo ka vjedhur në një dhomë 350 mijë lekë të vjetra, një pasaportë dhe tesha, ndërsa në dy dhoma të tjera 30 mijë lekë dhe teshat më të shtrenjta që ka gjetur. Burimet policore pohojnë se për vjedhjen e këtyre tri dhomave disponojnë prova materiale dhe se 22-vjeçarja Tatraku e ka pranuar autorësinë. Mësohet se ajo prej dy muajsh endej në godinat e vajzave të Qytetit Studenti. Sipas policisë, ajo i mashtronte studentet duke u kërkuar strehim dhe pasi i piketonte viktimat e saj ruante momentin që ato nuk ishin në dhomë. Ndërsa kur nuk gjente dot vend që ku të kalonte natën, flinte qosheve të Qytetit Studenti.


Historia


Rreth orës 21.20 të ditës së premte, dy studente të dhomës nr.201 në godinën nr.7 të Qytetit Studenti, janë paraqitur në Rajonin e Qytetit Studenti, ku kanë denoncuar vjedhjen e dhomës. Studentja e stomatologjisë nga Fieri, ka treguar para bluve se kur kishte shkuar në dhomën e saj, kishte parë që brava e derës ishte shqyer. Kur kishte hyrë brenda është tmerruar kur ka parë një vajzë të madhe në trup, me flokë të kuqe dhe një pirsing në vetull, e cila mbante veshur teshat e saj. Ajo ka pohuar para inspektorëve të krimeve se i kishte kërkuar menjëherë hajdutes që të zhvishte pantallonat dhe teshat e tjera që i kishte veshur. Ndërsa vetë nuk kishte patur fuqi të thërriste ndokënd tjetër, pasi hajdutja i bërtiste dhe i bënte presion. Me lot në sy ajo ka shpjeguar se për rreth 20 minuta, ndonëse ndodhej në dhomën e saj, është ndjerë e kërcënuar nga hajdutja, të cilën nuk e njihte. Ndërsa ka shtuar se hajdutja e panjohur i bërtiste herë pas here. Studentja ka shpjeguar se, pasi vajza flokëkuqe që i kishte bastisur dhomën ishte larguar e qetë dhe se kur kishte kontrolluar pantallonat, kishte parë se i mungonin 30 mijë lekë. Ajo ka shpjeguar para inspektorëve të krimeve se e njihte vajzën që e vodhi. “Kishte flokë të kuqe mbi supe, me trup të madh dhe në një të çarë në vetullën e djathtë kishte një pirs”, ka pohuar studentja e gatshme për bashkëpunim në gjetjen e hajdutes.