Historia e piktorit Karavaxho, i cili ka jetuar 400 vjet më parë, do të rrëfehet sonte në mbrëmje në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranën përmes baletit modern. Koreografi italian Toni Kalndeloro rikthehet në teatrin e operas për të pestin vit dhe ka vendosur që nëpërmjet gjuhës së baletit të zbulojë jo vetëm një piktor por një humanist e psikolog nga i cili shoqëria kishte frikë. “Pikturat e Karavaxhos kanë trembur, xhelozuar dhe janë parë më zili nga shoqëria e nga shumë piktorë, prandaj ai mbeti në hije për gati 300 vjet. Karavaxho u zbulua vetëm 100 vjet më parë, si shkak i forcës së tij njerëzore, pasi njerëzit e kuptuan që ai kishte një forcë të madhe si humanist dhe si piktor”, shprehet koreografi Toni Kandeloro, i cili ka zgjedhur në fakt baletin modern për të sjellë në skenë historinë e piktorit që u mbajt “i fshehur” për 300 vjet me radhë. “Unë sigurisht që vlerësoj baletin klasik dhe veprat që kam vënë gjatë këtyre viteve në TKOB, por në të njëjtën kohë dua të rrezikoj në kërkim të modernes”.


Baleti me solist kryesor vetë Kandeloron, Enada dhe Gerdi Vason, si dhe trupën e baletit vjen si një bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Teatrit të Operas dhe Baletit të Pulias.