blertaNga Blerta Xhaci*


Tingujt e këngës wind of change (era e ndryshimit) ndiheshin ethshëm në Shqipërinë e ditëve të shkurtit 1991, që shoqëronin rënien e diktaturës në njërën anë dhe sillnin ndjenjën e lirisë në anën tjetër. Kjo ndjenjë lirie kaplonte pjesën më energjike të shqiptarëve; studentët. Kjo ndjenjë u bë më e afërt  në mendjen dhe botëkuptimin tonë  me rënien e murit të Berlinit në vitin 1989 dhe lajmin që Nikolla Çauseshku, diktatori komunist i Rumanisë u ekzekutua gjatë protestave të Revolucionit rumun të po atij viti.


Rrëzimi i regjimit diktatorial të Enver Hoxhës dhe pjesës së kalbur që kishte mbetur pas, ishte bërë një domosdoshmëri. Studentët i prinin gjithnjë e më shumë kësaj kërkese imediate për Shqipërinë. Gjendja tejet e vështire ekonomike dhe fryma antikomuniste që po përvijohej dita-ditës në vend po tregonte se kishte ardhur koha e shumëpritur për rrëzimin e sistemit komunist.


Më 20 shkurt të vitit 1991 protesta e studentëve arriti kulmin. Studentët u vendosën në grevë urie duke kërkuar heqjen e emrit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës. Kjo ishte një kërkesë që prekte në thelb regjimin komunist që vazhdonte të lëkundej deri në shembjen e bustit të diktatorit Hoxha.


20 shkurti përveçse një ditë historike duhet të shërbejë edhe si reflektim mbi vetë ecurinë e Shqipërisë përgjatë 25 viteve të fundit. Morali i lëvizjes së dhjetorit u shtrembërua nën një trazicion të egër dhe të një vendi të marrë peng, duke i vrarë idealet e asaj lëvizjeje e duke u fshehur pas petkut të antikomunistëve të përjetshëm. Lëvizja e Dhjetorit vazhdon të përdoret për kapital politik pikërisht nga njerëzit që deformuan idealin dhe ëndrrat e studentëve të Dhjetorit 90.


Sot Shqipëria  ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe çelja e negociatave artikulohet vazhdimisht. Ky është një hap pozitiv. Por, kënga e Scorpions wind of change duket e nevojshme të dëgjohet po aq ethshëm sa në ditët e Dhjetorit 90 dhe 20 shkurtin e vitit 1991.


*Ish-studente e Lëvizjes së Dhjetorit 90