Udhëheqësit e klubeve të Superligës nuk janë aspak të kënaqur me gjendjen në të cilën gjendet futbolli kosovar. Andaj, shumë nga ta thonë se domosdoshmërisht duhet të bëhen ndryshime në udhëheqësinë e FFK-së më 2 shkurt, kur mbahen zgjedhjet e reja në shtëpinë e futbollit kosovar. Por, ka edhe të atillë që janë skeptikë se dikush tjetër do të mund të bënte diçka më shumë sesa Fadil Vokrri.

2 shkurti i vitit që po vjen do të jetë një ditë e rëndësishme për futbollin kosovar, pasi që do të mbahen zgjedhjet e reja në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Kryetari aktual i FFK-së, Fadil Vokrri, ende nuk e ka konfirmuar vendimin e tij nëse do të kandidojë apo jo edhe për një mandat tjetër katërvjeçar në krye të shtëpisë së futbollit kosovar, ndonëse ka dhënë shenja se do ta bëjë një gjë të tillë.

Mirëpo, nuk janë të pakta klubet, ndër më të famshmet kosovare, të cilat mendojnë se Fadil Vokrri nuk ka nevojë fare ta kërkojë edhe një mandat tjetër katërvjeçar. Sipas udhëheqësve të tyre, Vokrri me kolegë duhet të shkojë, sepse futbolli kosovar ka nevojë për ndryshime të mëdha në udhëheqësi. Sipas tyre, nën udhëheqjen e Vokrrit, futbolli kosovar nuk e ka bërë asnjë përparim gjatë katër viteve të fundit.

“Në FFK vetëm një njeri e meriton ta vazhdojë punën. Ai është sekretari Eroll Salihu. Të gjithë të tjerët duhet të largohen, nëse duam që futbolli të shkojë përpara. Nëse jo, atëherë le të vazhdojmë. Me këtë udhëheqësi vetëm prapa kemi shkuar, asgjë nuk ka lëvizur për të mirë”, ka deklaruar për Express kryetari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, i cili bashkë me udhëheqësit e tjerë të klubit bardh e kaltër që katër vjet e kanë luajtur rolin e opozitës së FFK-së. Kritikat e tyre nuk janë ndalur asnjëherë ndaj Vokrrit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Njëjtë mendon edhe nënkryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka. “Mendoj se ka shumë nevojë për ndryshime në Federatë. Ka shumë njerëz që nuk e meritojnë më ta udhëheqin futbollin e Kosovës, sepse ne klubet po japim para e ata vetëm po marrin dhe asgjë s’po bëhet. Krejt këto marifetllëqe po bëhen para syve të udhëheqësve të futbollit, të cilët po i mbyllin sytë”, tha pos tjerash Zeka.

Mirëpo, ka edhe të atillë që nuk janë të kënaqur aspak me gjendjen në të cilën gjendet futbolli. Por, ata janë skeptikë nëse dikush tjetër do të mund të bënte diçka më tepër sesa Vokrri për ta nxjerrë futbollin nga situata aktuale. “Pa u bë Kosova anëtare e OKB-së, as Vokrri e asnjë njeri tjetër nuk mund të sjellë ditë më të mira për futbollin kosovar, kështu që kot e kemi”, tha kryetari i Dritës, Sedat Pajaziti.

Njëjtë mendon edhe drejtori i Lirisë, Hatmi Gashi. “Në rrethanat politike e ekonomike në të cilat gjendet Kosova, nuk besoj se dikush do të mund të bënte diçka më tepër. Vërtet jemi lodhur, por nuk e di se kush çka do të mund të bënte më shumë”, u shpreh ai.

E ka edhe të atillë që FFK-në nuk mund ta imagjinojnë pa Vokrrin, i cili nga shumëkush konsiderohet si futbollisti më i famshëm kosovar i të gjitha kohërave. “Vërtet nuk i njoh fort njerëzit, sepse vonë jam inkuadruar në Vëllaznim. FFK-ja ka nevojë të madhe për t’u freskuar, por Fadil Vokrri mendoj se duhet të mbetet aty për shkak të imazhit që ka si ish futbollist”, tha nënkryetari i Vëllaznimit, Agim Koci.

Ndërsa kishte edhe zyrtarë të klubeve tjera, të cilët shprehnin zhgënjimin me gjendjen e përgjithshme në të cilën gjendet futbolli i vendit tonë, por ata nuk dëshironin të deklaroheshin nëse FFK-ja ka nevojë apo jo për ndryshime në udhëheqësi.

Prishtina me kandidat

Prishtina është klubi më i pakënaqur me punën katërvjeçare të Fadil Vokrrit në krye të FFK-së. Gjatë katër viteve të fundit, udhëheqësit e këtij klubi pa ndërprerë kanë kritikuar udhëheqësit e FFK-së në krye me Fadil Vokrrin, madje me ton të lartë dhe shumë të ashpër.

Andaj Prishtina, e cila vazhdimisht luante rolin e opozitës së FFK-së, mezi ka pritur zgjedhjet e reja në FFK. Kryetari i klubit bardh e kaltër, Remzi Ejupi, ka konfirmuar se Prishtina do të dalë me një kandidat për kryetar të FFK-së.

“Sigurisht se Prishtina do të dalë me një kandidat, pasi klubi ynë është i interesuar ta çojë futbollin e Kosovës përpara, sepse mundemi si Kosovë të ecim përpara. Se cili do të jetë kandidati i Prishtinës, do të vendosë bordi i klubit”, ka deklaruar Ejupi.