Nuk njoftohet asnjë mbledhje e parlamentit vendor, pavarësisht peticionit për ndryshimin e kreut
Afati - Ultimatumi i opozitarëve për mbledhjen e këshillit bashkiak është data 24 prill. Dhjetë ditë më para ata nënshkruan peticionin ku kërkonin edhe mbledhje urgjente
Kërkesa - Ajo që opozitarët kërkojnë me ngulm është shkarkimi i kreut aktual të këshillit bashkiak, Njazi Kosovrasti, dhe emërimin e kryetarit të ri, Aldrin Dalipi
Mazhoranca - Anëtarët e Partisë Socialiste dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim bëjnë tanimë mazhorancën e këshillit bashkiak të qytetit të Tiranës në vendimmarrjen vendore
Lorina Mixha
Këshilli bashkiak nuk do të mblidhet as sot dhe ditën e mërkurë. Sekretaria e parlamentit vendor të qytetit të Tiranës nuk ka njoftuar asnjë mbledhje të këshillit bashkiak edhe pse ultimatumi i këshilltarëve të opozitës skadon ditën e mërkurë.
Asnjë anëtar i këshillit nuk është njoftuar për takim, e as për të diskutuar lidhur me kërkesën zyrtare të paraqitur nga anëtarët opozitarë për të shkarkuar me urgjencë kreun aktual të këshillit bashkiak, Njazi Kosovrasti.
Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës në kalendarin e saj nuk ka asnjë projektvendim për të miratuar gjatë kësaj kohe, nuk ka parashikuar diskutimin e asnjë drafti apo projekti, si dhe nuk ka njoftuar asnjë datë konkrete lidhur me mbledhjen e këshillit.
Ultimatumi i vendosur i opozitës, 10 ditë për mbledhjen e këshillit nuk është marrë në konsideratë, madje është injoruar duke mos u marrë seriozisht nga mazhoranca.
Pavarësisht kësaj anëtarët opozitarë, këshilltarët e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim janë të prerë dhe stoikë në qëndrim e tyre për të larguar një orë e më parë kreun aktual, Njazi Kosovrasti, dhe për hapjen e horizonteve të reja në favor të opozitës.
Opozitarët kanë njoftuar se po presin të kalojë edhe dy ditë kohë, dhe më pas do të vendosin ata që ta mbledhin këshillin, duke zbatuar të gjitha rregulloret dhe ligjin për administrimin e pushtetit vendor. Nëse do të ketë rezistencë, dhe bashkia nuk do të jetë e hapur për të liruar ambientin ku zhvillohen zakonisht mbledhjet e këshillit bashkiak, salla brenda institucionit të bashkisë, atëherë do të mendohet për një vend tjetër ku të mblidhet këshilli dhe ku të shkarkohet nëpërmjet votimit, kreu i këshillit bashkiak.
Sipas këshilltarëve të Partisë Socialiste, Kosovrasti nuk u ka lënë hapësirë të nevojshme atyre për të folur, për të replikuar, për të shprehur mendimin e tyre, por edhe për të marrë dokumente, projekte e shkresa që lidhen me mbarëvajtjen e punëve të qytetit.
Shumë prej anëtarëve opozitarë kanë shprehur pakënaqësi dhe nuk bien dakord mbi mungesën e transparencës që u është ofruar deri më sot. Frika e vetme e anëtarëve opozitarë është mbyllja e dyerve për të zhvilluar mbledhjen, njësoj siç u bë në muajin shtator të vitit 2012, kur u anulua pesë minuta para nisjes mbledhja e Parlamentit vendor, kur pritej të miratohej taksa vendore për të gjitha bizneset e lojërave të fatit.
Anëtarët janë lënë jashtë ndërsa ata kanë dashur të takohen të bisedojnë me grupet e tyre, ndërkohë që me anulimin e mbledhjes nuk janë lënë në dispozicion të tyre ambientet e sallës ku zhvillohen prej vitesh mbledhjet e këshillit bashkiak.
Sipas legjislacionit në fuqi për organizimin e pushtetit vendor minimumi i mbledhjes së këshillit bashkiak është 1 herë në muaj më pas vendoset për mbledhje në varësi të kërkesave dhe punëve që kanë përfaqësuesit e qytetit lidhur me ecurinë e projekteve të Tiranës. Javën e kaluar 1/3 e anëtarëve të këshillit bashkiak mbi 19 këshilltarë kanë firmosur kërkesën për mbledhjen e Parlamentit vendor brenda 10 ditëve dhe shkarkimin e kreut aktual.
Këshilli bashkiak injoron opozitën burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP
Abonohuni me Email