Antena brenda familjes





Antena dje ishte në Dhrovjan të Sarandës dhe pati telashe të mëdha. Korrespondenti ynë në Sarandë flet labçe, është biond dhe rrondokop i shkurtër. Shkoi në Dhrovjan për të bërë ca fotografi të shtëpive të vjetra në këtë fshat, nga më të bukurit e jugut të Shqipërisë. Dhe për pak e pësoi. E rrethuan fillimisht ca plaka.


- Nuk të vjen turp? - i thanë. Je dhe këshilltar i kryeministrit. Turp të keni! Na mori ujin që kishim. S’ka më uji te rrapi. Ke bëri dhe muri pale. Do vijnë djemtë ta shkulin me kazmë.


Korrespondenti ynë u hutua fare dhe filloi t’i sqaronte se kishte shkuar në fshat për të bërë fotografi.


- Lere mo fotografia ti, ti s’na e hedh dot neve. Je dhe i qeverisë. Na bën budallenj ne ti? Ke marr uji te rrapet, e tani vjen na bën dhe foto. Turpi të të vijë!


I ngelur mes plakave të pamëshirshme që e shanin vazhdimisht, korrespondenti ynë kërkoi sqarime. Arriti kryeplaku.


- Si jeni zoti Glori? - tha. - Të njohim ne. Të kemi parë në televizori.


- Nuk jam Glori, - i tha korrespondenti ynë, - po ngjajmë.


- Mos na bë budallai ne, - i tha kryeplaku. - Po bëni një krim me atë uji. Keni bërë beton dynjaja në mes të vendit. Është uji i fshatit ai, nuk merret kështu si e merr ti. E ke rrethuar me betoni. Si s’u vjen zor t’u vijë.


Kaq iu desh plakave dhe iu turrën korrespondentit tonë, të cilit iu desh të hipte në makinë dhe të ikte me vrap.


Duke zbritur poshtë nga Dhrovjani nga rruga e poshtme, papritur iu shfaq përpara Muri i madh Kinez, për të cilin desh e rrahu fshati. Ndali i tronditur. Në anë të rrugës një pus i thellë nga ku dilte uji ishte lidhur me territorin e rrethuar. Sapo ishte ngritur dhe një kabinë elektrike.


E fotografoi dhe nisi të kërkonte rrotull. Një bari nga Krongji, një fshat tjetër aty afër, iu afrua korrespondentit të Antenës.


- Vëlla e keni Glori Hysin? - i tha.


- Jo, - i tha korrespondenti ynë. - Se dhe në fshat lart më ngatërruan. Unë jam gazetar.


- E mirë, ç’të them unë. Ja, shihi e shkruaji. Kanë marrë gjithë ujin. Vjen vetë ai këshilltari i Berishës këtu e hedh betoni. Çudi e madhe si nuk ka puna në Tiranë. Është goxha këshilltar.


- Ka qenë këshilltar për NATO-n, - i tha korrespondenti ynë, - tani kemi hyrë në NATO dhe është i lirë, ndaj ka dalë merret me ndonjë punë.


- Ashtu?! - tha i çuditur bariu. - Pse për NATO do vejë ky uji tani?


- Jo për këshilltarin, - i tha korrespondenti, - por më mos e ngatërroni me kryeministrin, se nuk di gjë.


- Sherr i madh do jetë, - tha bariu. - Tërë fshati ka marr inat nga kjo punë. Kiameti ka për t’u bërë. Dhe ky krieministri nuk nxuri mend nga këta njerëz. Vjen në Saranda për të na prerë shirita dhe na pret rrapi këtu këshilltari i tij e na merr uji.


Korrespondenti i Antenës bëri disa foto dhe iku. Sa për sot, po botojmë vetëm fotot.