Kina ka filluar me mbajtjen e manovrave ushtarake në Detin Lindor Kinez, pikërisht në kohën e tensioneve në rritje me Japoninë lidhur me disa ishuj të pabanuar, të cilët i takojnë Japonisë.

Sipas agjencisë kineze të lajmeve, Xinhua, në manovrat që filluan të premten po marrin pjesë 11 luftanije të flotës kineze të Detit të Kinës Lindore dhe tetë aeroplanë luftarakë.

Xinhua po ashtu njoftoi se, gjatë kryerjes së misionit të tyre, kohë më parë nga disa anije të huaja janë ndjekur dhe ngacmuar disa anije patrulluese të administratës së peshkimit, dhe të agjencisë për mbikëqyrje detare.

Të martën, aeroplanët ushtarakë të Japonisë kishin zbuluar shtatë luftanije kineze shumë afër ishujve të diskutueshëm Senkaku, të cilët Kina i quan Diaoyo.

Sipas sqarimit zyrtar kinez, këto anije ndodheshin në një mision rutinor të stërvitjes.