Në kuadrin e "Klasik", edicionit të 9-të ndërkombëtar të muzikës klasike, Instituti Italian i Kulturës organizon sot pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, koncertin e Duo Sinergie "Italia e Amerika për violinë e kitarë". Do të interpretojnë në këtë koncert instrumentistët Francesco Biraghi në kitarë dhe Tania Camargo Guarnieri në violinë. Duo Sinergie ka lindur prej takimit dhe bashkëpunimit mes kitaristit milanez dhe Tania Camargo Guarnieri, violinistes braziliane nga San Paulo. Prej vitesh ata nxjerrin në pah repertorin për violinë e kitarë. Repertori i tyre përfshin epokën klasike, moderne dhe atë bashkëkohore, duke i dhënë një rëndësi të veçantë vënies në skenë të muzikës së kompozitorëve latino-amerikanë. Francesco Biraghi dhe Tania Camargo Guarnirei do të paraqesin në Tiranë një program kushtuar Italisë dhe Amerikës, duke ekzekutuar në pjesën e parë të koncertit muzikë nga Vivaldi, Paganini, Façhinetti dhe në pjesën e dytë të tij muzikë nga Piazzolla, Camargo Guarnieri e Leisner.