• Hilari Klinton është paraqitur entuziaste përpara kamerave televizive kur u shfaqën rezultatet e fitores së saj në dy shtetet e fundit ku u votua, në Ohajo dhe Teksas.Ndërsa rivali i saj brenda partisë për të fituar kandidaturën si president, Barak Obama, tha se ai është ende përpara me pikë, kështu që ka shumë shpresë në fitore. Ndërsa Obama ka fituar shumë pikë në shumë shtete, Klinton ka rrëmbyer numrin më të madh të votave në shtete të mëdha e të rëndësishme si Kalifornia, Nju Xhersi, Nju Jork, si dhe Ohajo e Teksas, të cilat janë shumë të rëndësishme të fitohen nga demokratët për të marrë fronin e Shtëpisë së Bardhë në nëntor. Sipas “Associated Press”, Obama ka një total prej 1 477 delegatësh, përfshirë këtu edhe superdelegatë, ndërsa Klinton ka 1 391 delegatë. Duhen 2 025 për të fituar nominimin. Fushata e senatores Hilari Klinton për Shtëpinë e Bardhë konsiderohet se ka marrë një kthesë për mbarë, pas fitoreve të saj në procesin përzgjedhës të demokratëve në Ohajo, Teksas dhe Rod Ajlënd. Senatori Obama e përgëzoi zonjën Klinton për fitoren gjatë një fjalimi që mbajti në San Antonio të Teksasit. Por ai theksoi se vazhdon të ketë epërsi për nga numri i delegatëve të fituar dhe se ai është në rrugën drejt sigurimit të emërimit demokrat. Klinton tha se rezultati i përkiste gjithë atyre që mendohej se kishin dalë jashtë gare, por që nuk kishin pranuar të dorëzoheshin. Ajo shtoi se zgjedhjet në Ohajo kishin hapur një kapitull të ri në garën e saj për Shtëpinë e Bardhë. “Populli i Ohajos foli qartë dhe me zë të lartë. Ne do ta vazhdojmë ecjen përpara, ne po forcohemi, ne do t’i shkojmë kësaj pune deri në fund”, tha Hilari Klinton. Ndërsa kandidati tjetër demokrat, Barak Obama, ka fituar vetëm në Vermont. Pavarësisht këtyre rezultateve, Obama tha se gëzonte përkrahjen e më shumë delegatëve nga e gjithë Amerika.