Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton thotë se bashkëpunimi ushtarak mes Koresë së Veriut dhe Birmanisë do të jetë tepër destabilizues për rajonin dhe do të bëhej kërcënim direkt për fqinjët e Birmanisë.

Ajo tha se Uashingtoni i merr shumë seriozisht shqetësimet rajonale mbi këtë bashkëpunim.

Zonja Klinton foli sot në Bankok të Tajlandës për këtë çështje pas takimit me Kryeminsitrin Abhisit Vejjajiva.  Ajo do të marrë pjesë nesër në konferencën rajonale në Phuket.

Bashkëpunimi i mundëshëm i Koresë së Veriut me Birmaninë ishte në titujt e lajmeve në qershor, kur marina amerikane filloi ndjekjen e një anieje të Koresë së Veriut që besohet se ishte drejtuar për në Birmani me një ngarkesë të dyshimtë.

Anija u kthye në Korenë e Veriut pa u ankoruar në Birmani.

Sekretarja e Shtetit, Klinton, tha se Shtetet e Bashkuara janë të hapura për një partneritet produktiv me Birmaninë, në qoftë se qeveria ushtarake i jep fund keqtrajtimit të udhëheqëses së lëvizjes demokratike, Aung San Su Ki dhe grupeve të tjera politike dhe etnike.