Kombet e Bashkuara deklaruan të hënën se një avion ushtarak rus kishte rrëzuar avionin gjeorgjian të zbulimit që fluturonte mbi Abkhazi, muajin e shkuar. Ky përfundim, pa dyshim përforcon pretendimet e Tbilisit se Moska po ndihmon territorin rebel. Raporti i Kombeve të Bashkuara, që përfshin edhe foto, deklarata të dëshmitarëve dhe të dhëna të radarëve, është mbështetja më e fortë e pretendimeve të Gjeorgjisë, sipas të cilës, një avion rus kishte rrëzuar avionin spiun gjeorgjian më 20 prill, pretendim ky që nga Moska është hedhur poshtë. Sipas raportit, të dhënat e radarëve tregojnë se avioni ushtarak ishte kthyer në hapësirën ajrore ruse pas qëllimit të avionit spiun në Abkhazinë që po tenton të shkëputet nga Gjeorgjia. "Nuk ka prova që të vërtetojnë të kundërtën dhe kjo çon në konkluzionin se avioni ushtarak u përket forcave ajrore ruse", thuhej në raportin e Kombeve të Bashkuara. Nuk ka pasur ndërkohë asnjë reagim të menjëhershëm nga forcat ajrore të Rusisë. Moska më herët ka mohuar përfshirjen në rrëzimin e avionit spiun, duke thënë se ai ishte qëlluar nga bateritë antiajrore të separatistëve abkhazianë. Presidenti gjeorgjian, Mikhail Saakashvili, u tha ndërkohë gazetarëve se raporti i OKB-së, ishte i pari rast që një organizatë ndërkombëtare akuzon direkt Rusinë për një aksion të tillë. Raporti përmbante një akuzë të drejtpërdrejtë kundër Rusisë për një akt agresioni, tha Saakashvili. Muajin e shkuar, incidenti përshkallëzoi tensionet mes Moskës dhe Tbilisit, edhe më herët të irrituara për shkak të mbështetjes ruse për Abkhazinë dhe ambiciet gjeorgjiane për anëtarësimin në NATO. Zyrtarët gjeorgjianë kanë publikuar edhe një video të regjistruar nga kamera që gjendej në bordin e avionit spiun, para se ai të rrëzohej. Atje dukej qartë që një avion ushtarak po afrohej dhe më pas shihet edhe raketa e qëlluar në drejtim të avionit spiun pa pilot. Abkhazia njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Gjeorgjisë. Por, ajo administrohet vetë që pas tërheqjes së forcave gjeorgjiane në luftën separatiste të viteve ‘90. Konflikti mund të trazojë ndërkohë edhe ambiciet e Tbilisit për anëtarësim në NATO dhe është një burim destabiliteti në një rajon që është pjesë e një trajektoreje jetësore për eksportet e naftës dhe gazit nga deti Kaspik në tregjet botërore. Rusia u ka ofruar mbështetje separatistëve dhe ka paqeruajtësit e saj në Abkhazi, por Tbilisi e akuzon atë se po përgatit aneksimin e rajonit. Raporti i Kombeve të Bashkuara kritikon edhe Gjeorgjinë në lidhje me incidentin me avionin spiun, duke thënë se fluturimi i tij mbi Abkhazi, ishte një dhunim i marrëveshjes së armëpushimit të 1994-ës që njihet si Marrëveshja e Moskës. Gjithsesi, OKB nënvizon se nuk ka asnjë justifikim për Rusinë dhe veprimin e saj. "Aksionet e forcës nga palë të treta, në këtë rast Federata Ruse, në një zonë konflikti, janë thellësisht në kundërshtim me marrëveshjen e Moskës dhe dëmton armëpushimin", thuhej në deklaratën e Kombeve të Bashkuara.