Shaban Sulçe





Komisioni Europian për Zgjerimin i ka bërë apel partive kryesore që realizimi i Reformës Zgjedhore të jetë një proces gjithëpërfshirës dhe transparent. Në progres-raportin e Komisionit Europian është shprehur shqetësimi për lënien jashtë këtij procesi të shumë aktorëve politik, ndërkohë që në raport theksohet se Kodi i Ri Zgjedhor nuk duhet të jetë përjashtues, por gjithëpërfshirës dhe transparent, pasi vetëm në këtë mënyrë do të realizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në raport kritikohet edhe lufta që i hapi Parlamenti, Presidentit të Republikës duke i refuzuar miratimin e dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Ky moment cilësohet në raport, si momenti më i vështirë që vuri në dyshim pavarësinë e institucioneve të pavarura nga ekzekutivi.



Kodi Zgjedhor



Në progres-raport vlerësohet konsensusi i dhënë midis dy partive kryesore të politikës për Reformën Zgjedhore dhe Kodin e ri Zgjedhor, por ato paralajmërohen që të mos përjashtojnë nga procesi partitë e tjera politike, sepse ndryshe do të vihej në dyshim ndershmëria e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Forcat politike kanë filluar të bashkëpunojnë në parlament për çështjet kryesore. Ky konsensus i dhënë midis partisë kryesore të maxhorancës dhe partisë më të madhe të opozitës ka sjellë progres përsa i përket reformës zgjedhore dhe reformës në drejtësi. Megjithatë ende duhet shumë për të bërë për të forcuar dialogun konstruktiv midis partive politike dhe me faktorët për të zbatuar Reformën Zgjedhore, e cila është çelësi kryesor i partneritetit europian. Në Korrik të vitit 2008 parlamenti vendosi krijimin e një komisioni Ad-Hoc për hartimin e Kodit të Ri Zgjedhor. Përfundimi i reformës elektorale duhet të realizohet në kohë, dhe Kodi i RI Zgjedhor duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent, në mënyrë që të sigurohen zgjedhje të lira dhe të ndershme në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, të cilat gjithashtu cilësohen si prioritete nga partnerët europian”, thuhet në Progres-Raportin e Komisionit Europian për Zgjerimin.





Reforma në Drejtësi



Në progres-raport vlerësohet gatishmëria e dhënë nga partitë politike për të mbështetur Paktin Kombëtar për Drejtësinë, por në të theksohet se duhet shumë për të bërë për të realizuar Reformën në Drejtësi. “Në mars të vitit 2008, pakti kombëtar për drejtësinë u mbështet nga pjesa më e madhe e partive politike. Megjithatë ende mungon një strategji dhe një vizion i qartë për reformën në drejtësi, ndërkohë që deri tani janë përmirësuar vetëm disa pjesë individuale të legjislacionit. Ajo çka nevojitet është se si të adoptohet një strategji e plotë për reformën në drejtësi, të kompletohet baza ligjore dhe të sigurohen burimet e mjaftueshme njerëzore dhe financiare për zbatimin e saj”, vijon raporti. Në të theksohen përpjekjet e qeverisë shqiptare për të siguruar rregjistrin elektronik dhe sistemin e adresave, të cilat përbëjnë bazat kryesore për kartat e identitetit, listës së votuesve dhe pasaportave biometrike. “Pregatitjet për rregjistrin elektornik dhe sistemin e adresave u kompletuan në shtator të vitit 2008, duke siguruar bazat për kartat e identitetit, listës së votuesve, dhe pasaportave biometrike”.





KE: Sulmi i maxhorancës ndaj Presidentit vuri në dyshim pavarësinë e insitucioneve







Në Progres-Raportin e Komisionit Europian për Zgjerimin kritika më e hapur ndaj qeverisë shqiptare është e lidhur me konfliktin që maxhoranca ndërmorri ndaj institucionit të Presidentit të Republikës. Rrëzimi i pesë dekreteve të presidentit për anëtarët e gjykatës së lartë, cilësohet në raport si momenti më i vështirë që vuri në dyshim pavarësinë e institucioneve të pavarura.

“Marrëdhëniet midis parlamentit dhe presidentit kanë qenë të vështira në mënyrë të vazhdueshme. Parlamenti refuzoi dekretet e Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Një gjë e tillë shkaktoi shqetësime rreth pavarësisë së institucioneve shtetërore nga ekzekutivi”, vijon Raporti. Komisioni Europian për Zgjerimin duket se ka preferuar që të mos komentojë ndryshimin e Kushtetutës që u bë në 21 prill, pas konsensusit të dhënë nga dy partitë kryesore. Në Raport përmenden shqetësimet e shprehura nga partitë e vogla, rreth ndryshimeve të kushtetutës, por në të nuk jepet ndonjë qëndrim nëse ndryshimi i Kushtetuës respektoi parimet e demokracisë.













Paralajmërimi: Të mos ndërhyhet në hetimet për tragjedinë e Gërdecit



Komisioni Europian për Zgjerimin ka përsitur rëndësinë e mosndërhyrjes në hetimet e prokurorisë për tragjedinë e Gërdecit.

Sipas asja çka thuhet në raport, nëse nuk do të ndërhyhet në hetime do të rritet edhe më shumë besueshmëria në luftën kundër korrupsionit. “Shpërthimi në depot e municionit në Gërdec në Mars të 2008-ës aktualisht po hetohet për shkelje të rregullave të sigurisë. Është bërë pak progres për menaxhimin dhe shkatërrimin e armëve të vogla dhe të lehta të cilat mbeten një problem serioz për Shqipërinë. Hetime të tjera po zhvillohen rreth këtij aksidenti për trafikun e armëve dhe korrupsionit. Ish-Ministri i Drejtësisë Fatmir Mediu dha dorëheqjen dhe atij i është hequr imuniteti. Për të siguruar besimin në luftën kundër korrupsionit, nevojitet që të mos ndërhyhet në hetimet për këtë ngjarje”, vijon Progres-Raporti i Komisionit Europian për Zgjerimin.







6 Nentor 2008