Komisioni parlamentar i Ligjeve kaloi ditën e djeshme ndryshimet që parashikohen në Kushtetutë për sistemin zgjedhor, duke rënë paraprakisht dakord për sistem proporcional rajonal. Mbledhja e pasdites e këtij komisioni ka kaluar dhe ndryshimet në Kushtetutë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke e parashikuar këtë institucion si një organ, kompetencat e të cilit hartohen në Kodin Zgjedhor, ndërkohë që ka shtyrë diskutimin për çështje të tjera që nuk lidhen me sistemin zgjedhor, përveç mandatit të kryeprokurorit që është caktuar të jetë pesë vjet. LSI ka propozuar një amendament që nuk është marrë parasysh.


Kështu, është shtyrë diskutimi për mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Deputetë të djathtë, të njohur si mbështetës të presidentit Topi, kanë hedhur idenë që presidenti të zgjidhet nga populli, edhe pse demokratët kanë paraqitur një propozim që e zgjedh presidentin me shumicë të thjeshtë pas konsumimit të raundeve votimorë më shumicë të cilësuar.


Diskutimet pritet të nisin ditën e sotme dhe në qendër të tyre pritet të jetë dhe diskutimi për mocionin e besimit dhe të mosbesimit. Socialistët janë shprehur në parim dakord për idenë e hedhur nga mazhoranca për këtë çështje, ndërsa detajet pritet të diskutohen.


Problemi që ka ngritur më shumë shqetësime në këtë periudhë është votimi. Pritet që paketa e ndryshimeve të kalojë në seancë që ditën e hënë, duke mos u parashikuar shtyrje të tjera.


Aleatët e majtë janë treguar më agresivë në këtë drejtim, duke deklaruar votën e tyre kundër ndryshimeve kushtetuese, duke iu referuar kryesisht sistemit zgjedhor. Ndër ta duket se vetëm Partia Socialdemokrate e Gjinushit mund të bjerë dakord për ndryshimet, edhe pse shpesh Gjinushi ka deklaruar se reformat nuk bëhen me Berishën.


Por, dhe brenda Partisë Socialiste duket se nuk do të ketë shumë qetësi. Deputetë të saj e kanë akuzuar kryetarin Rama për marrëveshje të fshehtë me Berishën. Ata kanë akuzuar Ramën se këto ndryshime do të forcojnë Berishën dhe do e nxjerrin fitues në zgjedhjet e ardhshme.


Por nuk ka ndodhur ndryshe dhe në kampin e djathtë. Brenda partisë kryesore, asaj Demokratike, ka kohë që kanë nisur lëvizjet kundër ndryshimeve kushtetuese. Fillimisht, gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar, deputetë demokratë janë shprehur kundër ndryshimeve kushtetuese për sistemin zgjedhor. Edhe demokratët kundërshtues kanë deklaruar se një sistem i tillë mund të favorizojë Ramën. Të njohur si mbështetës të presidentit Topi ata kanë shtuar tonet, sidomos pas deklaratës së kreut të shtetit, se ndryshimet po bëhen për të përfituar pushtet karshi pushteteve të konsoliduara dhe se ato reflektojnë politikë të prapambetur ballkanike. Gjatë një dreke të presidentit Topi, ata kanë artikuluar idenë e mosvotimit të ndryshimeve kushtetuese.






Deputetët e djathtë, mbështetës të Topit





Besnik Mustafaj


Aleksandër Biberaj


Pal Dajçi


Sali Shehu


Dashnor Sula


Bujar Leskaj


Ardian Kollozi


Sami Gjergji


Mehmet Hoxha


Gëzim Karapici





Të lëkundur


Gazmend Oketa


Majlinda Bregu