18/05/2005  Komisionet vendore s'kanë as zyra dhe as mjete pune


Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave e ka cilësuar tejet shqetësues faktin se qeveria nuk ka marrë vendim për pajisjen e kësaj strukture me zyra dhe me pajisjet e tjera të domosdoshme. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se, jo vetëm Komiteti Shtetëror, por as komisionet në qarqe nuk i kanë ambientet e nevojshme dhe një fakt i tillë mund të sjellë bllokimin e punës për zbatimin e ligjit të kthimit dhe të kompensimit të pronave. Anëtarët e Komitetit Shtetëror janë shprehur se komisionet vendore nuk janë pajisur as me fotokopje që është baza e grumbullimit të të dhënave, pasi dokumentet origjinale nuk mund të mbahen në dosje të veçanta. Nga ana tjetër, mungesa e ambienteve, që do të shërbejnë si arkivë, për ruajtjen e dosjeve, sjell rrezikun e dështimit të procesit, pasi nuk ka ambient të përshtatshëm për ruajtjen e dokumenteve. Ndaj, Komiteti Shtetëror ka këmbëngulur në marrjen e masave të menjëhershme. Këtë shqetësim kryetari i Komitetit të Pronave, Sokrat Sinaj, e ka paraqitur dhe në takimin e zhvilluar më 10 maj, mes grupit të punës së Shqipërisë dhe atij të Bashkimit Evropian. Në këtë takim, çështja e pronave është cilësuar thelbësore, pasi në këtë pikë garantohet një nga të drejtat themelore e njeriut.


Kompensimi


Sipas anëtarëve të Komitetit Shtetëror të Pronave, puna për kthimin dhe kompensimin e tokave ka ngecur në plotësimin e detyrimeve prej qeverisë. Sipas ligjit, është qeveria që duhet të paraqesë të dhënat për gjendjen e tokës në Shqipëri dhe më pas komiteti do të nisë punën për të studiuar hartën e çmimeve në të gjithë territorin. Pa të dhënat e kërkuara komiteti nuk mund të nisë punën. Ndërkohë, qeveria vetëm të enjten e shkuar ka urdhëruar Ministrinë e Rregullim Territorit dhe atë të Turizmit që të nisë punën për inventarizimin e tokave shtetërore të lira. Të dhënat do t'i jepen komitetit të pronave brenda dy muajve që në bashkëpunim me ekspertët e OSBE-së do të nisë zbatimin e metodikës së vendosjes së çmimeve, që është miratuar një muaj më parë në parlament. Për të arritur në konkluzionet e nevojshme do të duhet dhe përcaktimi i hapësirës që kanë zënë ndërtimet e paligjshme.


Kërkesat


Zëdhënësi i Komitetit të Pronave ka bërë të ditur se nga të dhënat paraprake vihet re një dyndje e qytetarëve për të kërkuar kompensimin. Ndërsa vetëm pas një muaji do të jepen konkluzionet e para se sa është numri i aplikantëve dhe se sa vendime janë marrë gjithsej. Deri në hartimin e tokave të lira, do të veprohet me kthimin e tokave të pronarëve që kanë mbetur të zëna. Ky proces nuk ka nevojë për përcaktimin e vlerës për metrin katror, pasi pronarët do të marrin tokën e tyre.