romet 2Komiteti Shqiptar i Helsinkit reagoi në lidhje me çështjen e komunitetit rom, që është dëbuar nga banesat e tyre këto ditë.


Fillimin e vitit të kaluar, përfaqësues të këtij komiteti morën direkt takim me familjet rome dhe konstatuan qëndrimin e tyre në kushte çnjerëzore, në shi dhe të ftohtë, me fëmijë të vegjël dhe të moshuar në afërsi të liqenit artificial të Tiranës. Atyre u ishte premtuar se do të vendoseshin në disa ambiente të tjera, por në fakt kjo nuk ndodhi. KSHH me këtë rast, reagoi publikisht dhe u bëri thirrje organeve qendrore dhe lokale përkatëse që të merrnin masa të shpejta për strehimin e tyre. Edhe pas kësaj deklarate, zgjidhja e tyre u kufizua vetëm në premtime që mbetën të parealizuara.


E njëjta gjë po ndodh edhe këto ditët e fundit. KSHH lidhur me këtë çështje mbështet rekomandimet dhe reagimet e herë pas hershme të Avokatit të Popullit dhe kërkesat e drejta të vetë minoritetit rom. Deklaratat dhe reagimet e përfaqësuesve të BE-së dhe OSBE-së në Shqipëri, si dhe ato të Amnesty International lidhur me problemin e pazgjidhur të strehimit të rreth 40 familjeve rome, tregojnë shqetësimin e tyre, aq më tepër ndaj një vendi siç është Shqipëria që aspiron integrimin Evropian, thuhet në deklaratën e KSHH.


Komiteti i Helsinkit thekson se për komunitetin rom është bërë shumë pak këto vite.


Mund të bëhen deklarata dhe të polemizohet, mund të aludohet edhe për politizimin e çështjes, mund të pretendohet se edhe informacionet nuk janë plotësisht të sakta, por fakti është se në drejtim të përmirësimit të kushteve të këtij minoriteti është punuar pak dhe me një ngadalësi të theksuar. Në këtë vështrim, për KSHH-në është vështirë që në këtë rast të mohohet fakti i pranisë të elementëve diskriminues.


KSHH është i bindur se, me vullnet të mirë dhe masat e menjëhershme që duhen marrë ky problem mund të zgjidhet në mënyrë të pranueshme./ep