14/06/2005  Sinaj arrin marrëveshjen për qendrën, bllokohet puna në komisione


Brahim Shima


Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka arritur të sigurojë zyrën për qendrën në Tiranë. Burimet kanë bërë të ditur se komiteti do të vendoset së shpejti në një nga zyrat që janë në "Kullat Binjake", përballë Kryeministrisë, në qendër të kryeqytetit. Gjithsesi, pritet që kryetari i komitetit të nënshkruaj dokumentet e fundit me Ministrinë e Financave. Ndërsa vetëm pas përfundimit të plotë të ndërtimit të kullave, komiteti do të zhvendoset prej zyrave aktuale, për t'u vendosur te "Kullat Binjake". Megjithatë, kjo pikë e marrëveshjes me qeverinë është cilësuar vetëm si nisja e zgjidhjes së problemit, pasi puna mund të bllokohet, për shkak të mungesës së ambienteve të punës në komisionet vendore.


Përplasja


Sipas ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, në muajin dhjetor të vitit të shkuar, qeveria duhet t'i kishte dhënë komisioneve vendore dhe komitetit shtetëror zyra për zhvillimn e mbledhjeve dhe për ruajtjen e dokumenteve. Por, deri dje një detyrim i tillë nuk është plotësuar. Sipas të dhënave, komisionet vendore janë vendosur në zyrat pranë Prefekturave në 12 qarqet e vendit. Ambientet e dhëna janë shumë të vogla dhe nuk mjaftojnë për zhvillimin normal të punës. Gjithashtu, komiteti i pronave ka kërkuar që të pajiset me mjetet e domosdoshme të punës, si kompjutera, faks, telefon etj. Një shqetësim i tillë është paraqitur dhe në takimet që janë zhvilluar me grupin e punës së Bashkimit Evropian. Duket se ka qenë kjo këmbëngulje që ka sjellë nënshkrimin e një marrëveshjeje që komiteti shtetëror të vendoset në zyrat e "Kullave Binjake".


Ligji


Një tjetër shqetësim për komitetin e pronave mbetet dhe mungesa e të dhënave për tokën shtetërore, që ka mbetur e lirë në Shqipëri. Nëse harta e tokave të lira nuk do të paraqitet, atëherë nuk mund të ketë nisje të procesit të kompensimit të pronarëve. Megjithatë, duke parë presionet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, si dhe të vetë pronarëve, komiteti ka urdhëruar kthimin e tokës së pronarëve, që kanë mbetur të lira. Pra, pronat që nuk janë zënë me ndërtime të paligjshme dhe që nuk janë ndarë sipas ligjeve të miratuara pas vitit 1992, do t'u kthehen menjëherë pronarëve, sipas ligjit të miratuar më 29 korrik 2004. Gjithashtu është parashikuar që, pas paraqitjes së të dhënave mbi tokat shtetërore të lira, komiteti do të nisë studimin për çmimin e të gjitha kategorive të tokave në të gjithë Shqipërinë. Ky proces do të realizohet në bashkëpunim me OSBE-në. Ndërsa do të nisë dhe një proces trajnimi për anëtarët e komisioneve të pronave.