Skandali tjetër


Andis Harasani: Kush dhe si janë audituesit ndërkombëtarë të BSH-së?


dokumenti_1Vjedhja e Bankës së Shqipërisë zbulon një tjetër skandal. Kompania që ishte kontraktuar për të bërë auditin e Bankës së Shqipërisë, Grand Thornton, i ishte hequr licenca. Ajo ishte marrë pa tender, ndërkohë që licenca i është hequr edhe për Kosovën dhe Maqedoninë. Bordi Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë punësoi Grant Thornton sh.p.k për kryerjen e një auditi të një prej kompanive më të mëdha të sigurimeve në Shqipëri, e akuzuar për evazion fiskal. Shifra e padeklaruar nga kompania kapte vlerën e rreth 40 milionë lekëve. Fillimisht ishte Autoriteti Mbikëqyrës i Ministrisë së Financave që identifikoi këtë mosdeklarim nga ana e kompanisë, por më pas ju ngarkua Bordit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë që të kryente hetime të mëtejshme. Bordi, nga ana e vet, ia caktoi këtë detyrë firmës ndërkombëtare Grand Thornton, e cila, sipas Bordit, dështoi në kryerjen e një auditi profesional. Sipas Bordit, Grand Thornton dështoi në shqyrtimin e të dhënave manaxheriale dhe marrëveshjeve të kompanisë dhe dështoi gjithashtu në gjetjen e provave lidhur me detyrimet e padeklaruara. Urdhri i Bordit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë pretendon se Grand Thornton u angazhua në mënyrë joprofesionale dhe neglizhente në drejtimin e kësaj çështjeje. Sipas ligjit nr. 10091 të Auditit, artikulli 24, pika 3, Bordi vendosi që të pezullojë për një vit licencën e auditit të Grand Thornton. Kjo do të thotë që deri më 31.12.2014, Grand Thornton nuk do të kryejë as edhe një audit në Shqipëri. Në një rast në Kosovë, kjo kompani ka konkurruar duke pasur si partner vëllain e Lulzim Bashës.


 


Reagimi i Harasanit


Reagimeve qytetare ndaj skandalit të vjedhjes së Bankës së Shqipërisë i është bashkuar edhe ish-deputeti i PS-së, Andis Harasani. Në një koment të tij në rrjetin social Facebook, Harasani shpreh habinë e tij lidhur me heshtjen e zyrtarëve të shtetit lidhur me audituesit ndërkombëtarë të Bankës së Shqipërisë dhe mënyra se si janë zgjedhur ata. Kam ndjekur me vëmendje çështjen e Bankës së Shqipërisë dhe më bën përshtypje që askush nuk flet se cilët janë audituesit ndërkombëtarë, dhe si janë zgjedhur ata? Po përgjegjësia e Audituesit ku mbeti? Kaq shpejt u harrua se çfarë i ndodhi Arthur Andersen kur auditoi Enron???, – shkruan Harasani.


Ky shkrim Kompania e auditit të BSH-së, me licencë të hequr u publikua me pare te Gazeta SHQIP.