Të tjera rreth shkrimit VIDEO

TIRANE - Kompanisë që kishte për detyrë të kontrollonte thesarin në Bankës e Shqipërisë i është hequr licenca para dy muajsh. Bordi i Mbikëqyrjes Publike pranë Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) mësohet se i hoqi licencën në muajin Maj të këtij viti kompanisë audituese Grant Thornton. 

Kjo kompani nuk figuron më në listën publike të shoqërive të auditimit të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar. Burime nga bordi bëjnë të ditur për A1Report se licenca i është hequr për shkak të shkeljes së procedurave në auditimin e shoqërive të sigurimit, ndërsa nga ana e saj kompania e ka ankimuar këtë vendim.
 
Grant Thornton Sh.p.k në Tiranë, sipas burimeve të saj zyrtare është një kompani me përgjegjësi të kufizuar e krijuar nga dy njësi legale: kompania audituese Grant Thornton Shkup që ka 51% dhe Grant Thornton Consulting Shkup që ka 49%.
 
Grant Thornton International LTD është kompania e gjashtë në botë në fushën e konsultimeve dhe auditimit dhe zyrat e saj qendrore gjenden në Londër
Kjo kompani në Tiranë kishte marrë licencën nga IEKA në vitin 2009, licencë që iu hoq në Maj të 2014-ës.

Sipas raportit të transparencës së kompanisë për vitin 2013, lista e kompanive me interes publik që ka audituar Grant Thornton është si më poshtë:

1. Banka e Shqiperise
2. Eurosig
3. Atlantik
4. Insig
5. KESH
6.OST
7. Albsig
8. Ansig

Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar është një shoqatë profesionale jo fitimprurese, që grupon profesionistët kontabël të pajisur me titullin “ekspert kontabël i autorizuar” të cilët e ushtrojnë profesionin e tyre në praktikën publike në mënyrë të pavarur në statusin e personave fizike ose në përberje të shoqërive të ekspertëve kontabël të autorizuar.

Ndërsa Bordi i Mbikëqyrjes Publike i IEKA-s, ka ndër të tjera dhe funksionin e kontrollit të cilësisë për shoqëritë me interes public. Sipas rregullores, Bordi vendos për heqjen e licencës, më pas Autoriteti i Regjistrimit e çrregjistron, ndërsa IEKA në këtë rast është vetëm zbatuesi.
 
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)