Krijimi i Ministrisë së Shtetit ka "zhveshur" nga një sërë kompetencash zv.kryeministrin, post i cili në qeverinë aktuale mbahet nga Ilir Meta. Ky i fundit është ngarkuar edhe me një detyrë tjetër të rëndësishme, siç është ajo e shefit të diplomacisë shqiptare dhe kryenegociator për procesin integrues në BE. Ministri i Shtetit është ngarkuar me vendim qeverie të mbajë marrëdhëniet e qeverisë me Kuvendin. Verifikimi i titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore është një tjetër detyrë e lënë në duart e Genc Pollos. Misioni për Pollon vazhdon, pasi drafti i përgatitur nga ish-zv.kryeministri i qeverisë së "vjetër" për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave tashmë kalon në kompetencën e ministrit të Shtetit. Dy javë më parë, Kryeministri Sali Berisha vendosi në mbledhjen e qeverisë që komisioni për dhënien e statusit të dëshmorit të atdheut të drejtohet jo më nga zv.kryeministri, por nga ministri i Shtetit.



Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik shkon në varësi të ministrit të Shtetit së bashku me strategjinë e shkencës dhe teknologjinë e inovacionit për vitin 2009-2015.