28/01/2011  Një konferencë jubilare është menduar të mbahet me rastin e përvjetorit të shkrimtarit Ismail Kadare. Ai feston sot 75-vjetorin, ndërkohë që konferenca është programuar të hënën në sallën “Aleks Buda” organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në konferencë do të merren në shqyrtim aspekte të ndryshme letrare, por edhe raportet e shumëdiskutuara të shkrimtarit me kohën. Do të referojnë studiues dhe njohës të veprës së Kadaresë, por të ftuar do të jenë edhe personalitete të larta shtetërore. Ismail Kadare është shkrimtari më i njohur në arenën ndërkombëtare, i përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe i vlerësuar nga kritika botërore. I lindur më 28 janar 1936 në Gjirokastër, përfundoi atje arsimin e mesëm. Më 1958 diplomohet në degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki" (1958-1960). Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit ("Frymëzime djaloshare", 1954, "Ëndërrimet", 1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin “Shekulli im” (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike. Por sot Kadare është i njohur për prozën e tij, ku vepra e parë e rëndësishme është “Qyteti pa reklama”. Romane të tjera si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964), “Kështjella” (1975), “Kronikë në gur” (1970) etj., vazhdojnë të kenë sukses. Që prej vitit ‘90 jeton mes Parisit dhe Tiranës. Laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. Është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Në vitin 2009 u nderua me çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet më prestigjioze në botën letrare.